VIDEO: Kjo është mënyra se si mund të aplikojnë gratë lehona për shtesat prej 170 euro

Ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati përmes një konference për media ka njoftuar se që nga nesër të gjitha gratë lehona do të mund të aplikojnë për shtesat që do të jenë si mbështetje nga Qeveria e Kosovës si dhe për shtesat për fëmijë.

Sipas masës 3.5 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, gratë lehona të papunësuar do të mbështeten me 170 euro për gjashtë muaj ndërsa lehonat e punësuara do të mbështetën më 170 euro për tre muaj.

“Lehonat e papuna në 12 muajt e fundit të cilat figurojnë si të papuna në ATK do të përfitojnë mbështetje financiare 170 euro për gjashtë muaj. Ndërsa lehonat e punësuara do të përfitojnë 170 euro për tre muaj krahas kompensimit të pushimit të lehonës nga Qeveria”, ka thënë Murati.

Ndërkaq, ai shtoi se shtesat për fëmijë, fillimisht do të përfshijnë fëmijët e lindur nga 1 janar 2020 e tutje  ndërsa nga viti i ardhshëm do të filloj zgjerimi i grup moshave.

“Mbështetja për fëmijët e moshës 0-24 muaj do të jetë 20 euro për muaj kurse ata nën moshën 16 vjeçare do të jetë 10 euro për muaj”, tha Murati.

Ndërkaq aplikimi për këto mbështetje do të jetë i mundur që nga nesër përmes aplikimit në platformën E-Kosova.

Për mbështetjen për lehonat mund të aplikohet KËTU.

Ndërsa për shtesat për fëmijë mund të aplikohet KËTU.

Më poshtë do të mund të ndjekin sqarimin nga zyrtarët e ASHI-së se si mund të aplikoni për këto mbështetje.