(VIDEO) Igor Simiq e cilëson provokim prezencën e Policisë së Kosovës në veri të vendit

 

Zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiç ka dhënë detaje në lidhje me takimin e Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak.

Ai tha se në takimin e tyre është diskutuar edhe për tensionet në veri të Mitrovicës.

Simiq këto detaje i dha deri sa po qëndron së bashku me shumë qytetarë në afërsi të pikës kufitare Jarinje.

“Me gjasë ka përfunduar takimi mes Vuçiq dhe Lajçak, është biseduar aty edhe për këto tensione, ju po e shihni që personat janë të revoltuar, askush nuk ka dëshirë të rrijë këtu, me qëndruar në këto barrikada. Po e shihni që Policia po qëndron pranë shtëpive familjare, sidoqoftë ne e porosisim Brukselin dhe të tjerët se duam të jetojmë një jetë normale siç ka qenë jeta para vendimit të sotshëm. Duhet të zgjidhen të gjitha problemet mes Prishtinës dhe Beogradit apo mes shqiptarëve dhe serbëve”, tha Simiq.

Ai shtoi edhe se qytetarët e mbledhur në Jarinje duhet të qëndrojnë të qetë.

“Këta duhet të qëndrojnë të qetë (qytetarët) mos të bien pre e provokimeve që nuk po dihet se kush i ka nxit. Dikush ka qëllim që të shkaktohen trazira në veri”, shtoi Simiq.

Në fund ai tha edhe se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore ndërsa, shtoi se të njëjtit kanë nevojë edhe për lëvizje të lirë.

Që nga ora 9 e mëngjesit rruga që shpie deri te pika kufitare në Jarinje është bllokuar nga makineri të shumta të qytetarëve serb të cilët jetojnë në këtë zonë, pasi ata po kundërshtojnë mbulimin e targave të Serbisë me ato të Kosovës në hyrje të pikave kufitare të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë.