VIDEO – Futbollistët e Kosovës nisen për në Zvicër

Kombëtarja e Kosovës nesër duke filluar nga ora 18:00 në Cyrih do të përballet kundër Zvicrës në ndeshjen e dytë miqësore për këtë muaj.

Ndërsa sot gjatë ditës, lojtarët e Kosovës kanë marrë rrugën për në Cyrih. Në pamjet e publikuara nga Federata e Futbollit të Kosovës futbollistët sot herët në mëngjes janë nisur për në shtetin e Zvicrës.

Dardanët ditën e djeshme kanë zhvilluar stërvitjen e fundit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Njëri nga futbollistët e Kombëtares së Kosovës, Betim Fazliji është shprehur optimist për këtë ndeshje.

“Paraqitja kundër Burkina Fasos ka qenë shumë e mirë. Futbollistët janë në formë dhe secili prej nesh ka dëshirë e përkushtim për t’i treguar vlerat e veta para trajnerit të ri. Tash kundër Zvicrës na pret një ndeshje shumë e fortë, ku do të ketë shumë shqiptarë në stadium dhe pa dyshim do të jetë një ndeshje shumë e veçantë. Kjo ndeshje do të jetë një festë futbolli. Ne do ta japim maksimumin dhe udhëtojmë për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Fazliji.

Kombëtarja e Kosovës sot pasdite do të zhvillojë stërvitjen e fundit para sfidës së nesërme. Kjo do të jetë ndeshja e parë që Kosova do ta luaj kundër Zvicrës.

Në mesin e ekipit kombëtar të Zvicrës ka edhe disa futbollistë e prejardhje shqiptare.

Lidhur më këtë ndeshje, Xherdan Shaqiri është shprehur, që në rast se shënon, ai nuk do të festojë.

Kosova në këtë ndeshje vjen pas fitores 5:0 kundër Burkina Fasos, ndërsa Zvicra pas humbjes 2:1 kundër Anglisë.