VIDEO: Filarmonia 'feston' 20-vjetorin në kushte mizerje të funksionimit

Filarmonia e Kosovës këtë vit shënon 20 vjetorin e themelimit.

Por, ky përvjetor e gjen Filarmoninë në kushte të këqija, pa financa dhe objekt të vetin.

Qysh në hyrje dalin pamjet për kushte mizerje të objektit. Shkallë të vjetërsuara, muret anësore dhe vrimat në tavan japin pamjen e një objekti të braktisur.

Për gati 20 vjet, punëtorët e Filarmonisë punojnë në një objekt të errët, me hapësira të ngushta, pa raftet e nevojshme, pa gardërobë e anekse ndihmëse.

Në këto kushte, ky institucion e ka mjaft të vështirë funksionimin.

Baki Jashari, drejtor Filarmonisë së Kosovës ka thënë për KALLXO.com se institucioni që ai drejton me dekada është lënë anash nga institucionet vendimmarrëse, sidomos në dekadën e fundit, pas pavarësisë.

“Viteve të fundit pothuajse është bërë e pamundur përgatitja e koncerteve për shkak atë kushteve katastrofale në të cilat po funksionojmë, pa objekt tonin, por në një objekt të vjetërsuar të Komunës së Prishtinës”, ka thënë Jashari.

 

Hiç më mirë nuk është edhe salla ku Filarmonia mban koncertet.

“Realizmi i koncerteve tona bëhet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, një objekti i vjetruar, dhe që nuk është sallë koncertale. Ne po ‘festojmë 20 vjetorin’ në një situatë katastrofike”, ka thënë Jashari për KALLXO.com.

Që nga viti 2000 kur edhe është themeluar Filarmonia e Kosovës funksionon në një objekt të Komunës së Prishtinës, mbrapa Ministrisë së Kulturës, në kushte aspak të mira.

Për më keq, Filarmonia do të punojë edhe për shumë vjet të tjera në këto kushte.

Kjo gjende e lë Filarmoninë e Kosovës me vite prapa simotrave të saja në botë.