Dëme nga erërat e forta në shkollën fillore ‘Shaban Idrizi’ në Mitrovicë, Foto: Florinda Kelmendi, KALLXO.com
VIDEO - Dëme nga erërat e forta, pezullohet mësimi për një javë në shkollën në Zhabar të Mitrovicës
Erërat e forta gjatë fundjavës kanë dëmtuar kulmin, dyert e dritaret e shkollës fillore të mesme të ulët “Shaban Idrizi” në Zhabar të Mitrovicës.
Për pasojë mësimi është pezulluar për një javë, përderisa menaxhmenti i shkollës, si shkak për situatën përmend edhe punimet e dobëta në shkollë.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Saranda Ademi ka thënë për KALLXO.com dëmet janë të konsiderueshme, ndërsa gjatë paraditës të së martës kanë qenë në pritje për sanimin e tyre.
“Qysh po shihet një pjesë e madhe, pjesa e kulmit ka rënë në tokë dhe ka dëme të konsiderueshme në këtë shkollë. Dje Drejtoresha e Arsimit më telefonoi dhe më tha se sot do të fillojnë punimet për rregullimin e kulmit por tash veç është bërë ora 11 e diçka ende nuk ka ardhë kurrkush”- ka thënë ajo të martën.
Ekipi i KALLXO.com ka dalë sot në vendin e ngjarjes rreth orës 11:00 dhe nuk ka hasur në punëtorë.
Ndërkaq, drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Drita Kadriu, ka konfirmuar pasdite se rreth orës 16:00 ka nisur puna nga ana e punëtorëve ka konfirmuar drejtoresha e shkollës.
“Dje e hënë me datë 6 nëntor, kanë dalë ekipet e inxhinierëve të komunës dhe e kanë incizuar situatën rreth dëmeve, e sot e martë po analizohet vlera e dëmit dhe zgjidhja e problemit”- ka thënë për KALLXO.com, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu.
Nisjen e punimeve e ka konfirmuar edhe drejtoresha e shkollës, Saranda Ademi.
Ademi ka theksuar se tha se izolimi i dobët i kësaj shkolle bën që të goditet nga erërat.
“Prej erës të madhe që ishte pardje edhe dritaret janë të dëmtuara. Edhe dritaret e klasës dhe dera e shkollës lëkunden dhe edhe një erë e fortë mundet me sjell dëme. Shkolla nuk është e vjetër, është e ndërtume në vitin 2008 por ka shumë probleme të mëdha, ku gjatë dimrit ka shumë të ftoftë dhe dritaret nuk janë të izoluara mirë”- ka thënë ajo.
Drejtoresha tha se problemin e izolimit e kanë adresuar më parë (para se të ndodhë rasti i së dielës ) tek Drejtoria e Arsimit dhe të njëjtit u kanë premtuar se do të ndodhë izolimi i shkollës në tërësi.
“Na ka premtu që izolimi i shkollës në tërësi do të ndodhë sepse kemi probleme me nxehtësi gjatë dimrit. Do të fillojë vitin e ardhshëm sepse shkon si me radhe me shkolla të qytetit. Mirëpo në këtë rast ndodhi e papritura dhe duhet urgjent me ndërmarrë diçka”-ka thënë ajo.
Në shkollën ku mësojnë 480 nxënës, drejtoresha tha se nëse nuk fillojnë mësimin deri të hënën e ardhshme, do t’i dërgojnë nxënësit në shkollë tjetër.
“Jam t’u shpresu që brenda kësaj jave të rregullohet kulmi dhe të paktën të hënën të fillojë mësimi. Kemi bisedu me drejtoreshën e Arsimit, nëse veç vazhdon ma gjatë rregullimi i kulmit, atëherë është mundësia që t’i dërgojmë nxënësit në një shkollë tjetër. Nëse përfundojnë punimet gjatë kësaj jave besoj që të hënën fillojmë dhe i kompensojmë orët e humbura”- përfundoi ajo.
Ndërsa, Drejtoresha e Arsimit, Drita Kadriu Tutje tha se pret rekomandime nga Këshilli i Arsimtarëve për mënyrën se si do ta realizojnë mësimin.
“Mbrëmë kam komunikuar me drejtoreshën e shkollës. Ajo dhe mësimdhënësit kanë sot takim të këshillit të arsimtarëve për t’i analizuar modalitetet e organizimit të mësimit. Mbështetur në rekomandime të Këshillit të Arsimtarëve ne do të marrim vendim së bashku me menaxhmentin e shkollës”- ka thënë ajo.
Siç ka konfirmuar edhe Kadriu pas fatkeqësive natyrore të ndodhura ditën e diel, nuk ka pas dëme në njerëz dhe është kontastatuar se në bazë të rrezikut nuk ka kushte që të mbahet mësimi.
“Janë njoftuar të gjithë prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit për ndërprerje të mësimit deri në njoftimin e radhës”- përfundoi ajo.