Foto: Bujar Krasniqi- Sllatinë e Madhe/ Fushë-Kosovë

VIDEO: Banorët e Sllatinës së Madhe në hall me kanalizimin, thonë se ujërat e zeza vijnë edhe nga shtëpia e kryetarit të Komunës

Rreth 10 shtëpi në fshatin Sllatinë e Madhe të Fushë-Kosovës tash e disa vite thonë se janë në hall me rrjedhën e kanalizimit të papërfunduar.

Kanalizimi që u kalon afër shtëpive, sipas një banori është edhe nga shtëpia e kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha. Ky i fundit i ka mohuar pretendimet.

Bujar Krasniqi, banor i fshatit thotë për KALLXO.com se me problemin ballafaqohen rreth 7-8 vite.

“Në lagjen tonë jemi diku 10 shtëpi. Shtëpitë janë të lidhur në atë rrjet të kanalizimit, mirëpo ai rrjet nuk është vazhduar deri në fund ku duhet, por përfundon në një pjesë ku rrjedh tërë kohën. Kjo punë është qe 7-8 vjet. Edhe shtëpia e kryetarit të Komunës është aty, ë atë rrjedhë vijnë edhe ujerat e zeza nga shtëpia e kryetarit”, shprehet ai, duke shtuar se shtëpia e kryetarit nuk preket nga kundërmimi.

Krasniqi thotë se shtëpitë e tyre janë të kyçura në kanalizim, por për shkak se nuk është përfunduar në tërësi, rrjedha u kalon kah shtëpitë.

Ai shton se po rrezikohen edhe nga një pusetë, e cila pas reshjeve të shiut bashkë me kanalizimin afër saj, hynë në oborret e shtëpive.

“Madje kur ka shira të rrëmbyeshëm, del uji e kalon rrugën e hynë  nëpër oborre”, theksoi ai për KALLXO.com, duke folur për dëmet që u janë shkaktuar.

Foto: Bujar Krasniqi- Sllatinë e Madhe/ Fushë-Kosovë

“Para dy viteve, tek vëllai ka bërë shumë dëme, ia pat rrëzu edhe murin, rrethojën e shtëpisë, pasi edhe shiu për shkak të një bazeni që gjendet aty afër gypit të kanalizimi”, tha Krasniqi.

Banori i Sllatinës së Madhe thotë se zgjidhja u premtohet çdo herë në kohe fushate, madje kanë marrë premtime edhe nga kryetari aktual, por asgjë nuk ka ndryshuar.

“Ka qenë kryetari zakonisht para fushatave dhe është aprovuar një projekt për përfundimin e atij problemi, por prej 2015-s rregullisht kemi bërë kërkesë, por kurrë s’ka ndodhë”, shprehet banori.

Kurse kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha në një përgjigje për KALLXO.com i ka quajtur shpifje këto ankesa.

Ai ka thënë se nuk ka kanalizim nga shtëpia e tij dhe se sipas tij aty janë vetëm 3 shtëpi që po bëjnë politikë.

“ Nuk është e vërtetë se ka kanalizim prej shtëpisë sime, krejt shpifje e mashtruesve të VV. Ata ka vite që kanë kanalizim, janë nja 3 shtëpi që po bëjnë politikë. Kaq. Nuk kam çka rregulloj aty më, asgjë nuk do rregulloj, është gjë e shpikur”, thuhet në përgjigjen e kryetarit Berisha për KALLXO.com.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

 

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.