Besnik Berisha, avokat i Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt

VIDEO - Avokati Besnik Berisha flet për arrestimin e tij, e quan të paligjshëm

Avokati Besnik Berisha ka folur në detaje rreth arrestimit të tij ditë më parë, duke e cilësuar atë përsëri si arrestim të paligjshëm dhe kundërkushtetues.

Ai ka akuzuar prokurorin e Shtetit, Rasim Maloku për manipulim me prova.

“Jam këtu për të shpërfaqur në opinion njërën prej arrestimeve, besoj unë, më skandaloze, njërin prej veprimeve më arbitrare që ka ndodh ndaj një avokati të Kosovë” – tha Besnik Berisha të mërkurën para gazetarëve.

Tutje, avokati kosovarë tha se arrestimi i tij lidhet me një denoncim të bërë ditë më parë në Klan Kosova, sndërsa, tha se Prokurori i Shtetit ka marrë urdhra nga pushteti për ta arrestuar.

“Sot flas si një qytetar i thjeshtë, si një i persekutuar nga pushteti, si një qytetar i cili i ka dhënë besën vetës që nuk do të ndalem asnjë ditë që të punoj e të shpërfaqi skandalet, jo vetëm të këtij pushteti” – thotë Berisha.

“Jam këtu për të ju thënë se Besnik Berisha nuk ka kryer asnjë krim, Besnik Berisha është sanksionuar për një emision televiziv që e ka goditë pushtetin për një skandal të cilin e keni dëgjuar edhe vet, pra për një betejë që pushteti mundohet me masku embargon (e armëve) e që unë e kam denoncu në Klan Kosova” – vlerësoi avokati, Besnik Berisha.

Sipas tij, prokurori i çështjes nuk ka pas të drejtë të urdhëroj arrestimin për shkak se “veprimet për të cilat më pandeh ai mua është e kundërligjshme sepse ato janë detyrat e mija si avokat, ne kemi një lloj imuniteti, jo nga ndjekja penale”.

“Për provimin nga lira të një avokati ka të drejtë vetëm një gjyqtar, pra me një vendim të gjykatës. Kjo nuk ka ndodh. Unë jam privu me një vendim të prokurorit. Ai ka pësu disfatë sa herë është ballafaquar me mua, edhe në rastet e mëhershme” – tha Berisha.

Tutje, ai akuzoi Prokurorin e Shtetit, Rasim Maloku edhe manipulim me prova.