Vetëvendosje në Podujevë kërkon mbajtjen e zgjedhjeve komunale më 14 qershor

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë sot i është drejtuar Këshillit Qendror Zgjedhor me kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve komunale.

Sipas VV, situata me COVID-19 në Podujevë është e qetë dhe se janë krijuar të gjitha kushtet për zgjedhje me 14 qershor.

“Sot, kryetari i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, Bajram Ajeti, ka dorëzuar kërkesën dhe propozimin tonë për mbajtjen e zgjedhjeve me datën 14.06.2020. Pezullimi i zgjedhjeve komunale për kryetar komune është bërë me datën 14.03.2020, nga presidenti për shkak të parandalimit të përhapjes së coronavirusit. Situata e krijuar në vend e posacërisht në komunën tonë ku nuk kemi asnjë rast aktiv të infektuar me covid19 mbi një muaj. Vlerësojmë se janë krijuar kushtet dhe rrethanat për t’u mbajtur zgjedhjet. Ne sot dorëzuam propozimin tonë dhe presim që KQZ-ja në koordinim me institucionet shëndetësore të caktojnë datën e zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e VV.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës ishin caktuar të mbahen më 15 mars por ato u shtynë shkaku i pandemisë së COVID-19 një ditë para se të mbaheshin. Ato u nxitën pas dorëheqjes së Agim Veliut nga posti i kryetarit për shkak të emërimit si ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Albin Kurtit.