Veseli merr në parti njeriun që u zgjodh kundërligjshëm anëtar bordi

Ndonëse luftën kundër korrupsionit e ka bërë temë bosht nga e cila do të udhëhiqet partia e tij, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, nuk po mund t’u shmanget njerëzve që kanë rënë ndesh me ligjin.

Kështu, Veseli sonte ka prezantuar anëtarin më të ri të partisë së tij, ish-kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, Selatin Retkoceri.

Pra, Veseli ka marrë në parti njeriun që u zgjodh kundërligjshëm anëtar bordi.

KALLXO.com në prill të këtij viti ka raportuar për emërimin e kundërligjshëm të Selatin Retkocerit në bordin Kompanisë për Menaxhimin e Deponive.

Emërimi i tij binte ndesh me Ligjin për Ndërmarrje Publike, për shkak që Retkoceri në 36 muajt e fundit ka qenë pjesë e një partie politike, i zgjedhur publik e i emëruar politik.

Emërimi i kundërligjshëm në Bordin e kompanisë për menaxhimin e deponive

Selatin Retkoceri në zgjedhjet e fundit komunale ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit dhe bartës i listës për këshilltarë komunal të Lipjanit nga partia Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka qenë edhe kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e fundit.

Si kandidat për kryetar komune ai kishte marrë 2,520 vota apo 8.81%, duke përfunduar i treti.

Retkoceri kishte qenë edhe bartës i listës së kandidatëve për këshilltarë komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ku kishte marrë 2 mijë e 728 vota.

Aktualisht është asamblist i Kuvendit Komunal të Lipjanit.

Ndërsa në zgjedhjet nacionale, Retkoceri kishte marrë 2 mijë e 369 vota.