Emërimi i kundërligjshëm në Bordin e kompanisë për menaxhimin e deponive

Kabineti Qeveritar më 2 prill të këtij viti votoi për t’i emëruar anëtarët në 3 borde të ndryshme të Ndërmarrjeve Publike.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se njëri nga anëtaret e emëruar në bordin e Kompanisë për Menaxhimin e Deponive është zgjedhur në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike.

Pjesë e bordit të drejtorëve në këtë kompani është emëruar edhe Selatin Retkoceri. Emërimi i tij bie ndesh me Ligjin për Ndërmarrje Publike, për shkak që Retkoceri në 36 muajt e fundit ka qenë pjesë e një partie politike, i zgjedhur publik e i emëruar politik.

Të gjitha këto në kundërshtim me Ligjin.

Selatin Retkoceri në zgjedhjet e fundit komunale ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit dhe bartës i listës për këshilltarë komunal të Lipjanit nga partia Lëvizja Vetëvendosje. Ai ka qenë edhe kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e fundit.

Si kandidat për kryetar komune ai kishte marrë 2,520 vota apo 8.81%, duke përfunduar i treti. Retkoceri kishte qenë edhe bartës i listës së kandidatëve për këshilltarë komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ku kishte marrë 2 mijë e 728 vota. Aktualisht është asamblist i Kuvendit Komunal të Lipjanit.

Ndërsa në zgjedhjet nacionale, Retkoceri kishte marrë 2 mijë e 369 vota.

Selatin Retkoceri, fotografia e kandidatures per deputet nga radhet e Levizjes Vetevendosje Foto: Facebook

Në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë, Retkoceri thotë se ka që 1 vit e gjysmë që është larguar nga kjo parti, por ai vazhdon të jetë i zgjedhur në Kuvendin Komunal.

Retkoceri është emëruar për anëtar bordi në Kompaninë e Menaxhimit të Deponive, në të njëjtën kohë kur shërben edhe si këshilltar komunal në Lipjan.

“Të gjithë drejtorët përveç kryeshefit ekzekutiv duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajshe para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Retkoceri jo vetëm në 36 muajt e fundit, por edhe kur ka aplikuar ka qenë asamblist në Kuvendin Komunal, si i zgjedhur publik.

Agjencia Kundër Korrupsionit në 2016 kishte dhënë opinion në lidhje me këtë çështje.

Sipas AKK-së, secili drejtor i zgjedhur në pozita udhëheqëse duhet të ishte i pavarur dhe jashtë strukturave politike, po ashtu ai duhet të ishte i përgatitur profesionalisht për ushtrimin e pozitës udhëheqëse.

Në këtë opinion të AKK-së thuhet qartë që “Zyrtar i zgjedhur publik”, nënkupton individin i cili e ushtron një post publik, të cilin e ka fituar përmes zgjedhjeve.

Në këtë rast, Retkoceri pozitën e asamblistit në Kuvendin Komunal e ka fituar përmes zgjedhjeve komunale të 2017.

Gjithashtu, AKK, në po këtë opinion kishte sqaruar edhe pjesë “I emëruar politik”. Sipas AKK-së kjo; “Nënkupton personin i cili është emëruar, ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur”.

Në këtë rast, Selatin Retkoceri kishte qenë kandidat i Vetëvendosjes në dy lloj zgjedhje të vitit 2017.

Ai kishte qenë kandidat për kryetar Komune të Lipjanit dhe kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Këtu mund ta gjeni vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Çdo person, që aplikon për pozitën e anëtarit të bordit, sipas Ligjit për Ndërmarrje Publike duhet të nënshkruar një deklaratë nën betim që deklaron se i përmbush kushtet e kualifikimit.

“Çdo person i cili mban ose aplikon për një pozitë të drejtorit duhet të japë një deklaratë nën betim në të cilën deklaron se ai/ajo i përmbush kushtet e kualifikimit, pavarësisë dhe ato të përshtatshmërisë profesionale sipas paragrafëve 1-3 të këtij neni. Çdo përgënjeshtrim material – qoftë i qëllimshëm ose nga neglizhenca – ose ndryshim material nga informatat e dhëna në deklaratën e sipër cekur do të rezultojë në shkualifikimin e menjëhershëm dhe, nëse është e aplikueshme, largimin e personit”, thuhet në pikën 5, të nenit 17 të Ligjit për Ndërmarrje Publike.

Retkoceri në përgjigjen për Gazetën Jeta në Kosovë e konfirmon se e ka nënshkruar këtë deklaratë.

“Po e kam nënshkruar, qa ka rëndësi ajo punë. Unë jam punë kërkues”, iu është përgjigjur Retkoceri në pyetjet e Gazetës.

“Qysh me jetu unë, pa pare. Këtu i marrë 200 euro, duhem me e lëshu këtë, me i marrë 200 atje. S’kam naj problem në atë drejtim, e lëshoj njërën e marrë tjetrën. Ligji e thotë, ama diku duhet me u punësu. A me nejtë në rrugë a çka?”, përgjigjet tutje Retkoceri kur i citohet Ligji për Ndërmarrje Publike.

“Po, unë jam ende asamblist në Lipjan, nuk besoj që i mbajë dy pozitat”, tha tutje Retkoceri kur u pyet se nëse do të vazhdoj të jetë edhe asamblist edhe anëtar bordi.

Retkoceri thotë se nuk është fare i kënaqur që është zgjedhur anëtar bordi në këtë ndërmarrje. Kjo për shkak se ai mbanë një rekord të aplikimeve nëpër Ndërmarrjet Publike në Kosovë.

Ai për Gazetën Jeta në Kosovë ka konfirmuar se ka aplikuar edhe në 4 ndërmarrje tjera.

“S’jam i kënaqur hiç me atë punë, kam dashtë dikun ma mirë. Kam apliku Postë, TrainKos, Infrakos, Ujësjellës, Menaxhim të Mbeturinave dhe në të gjitha kam qenë në intervistë edhe në të gjithat kam qenë prej ma të mirëve në intervistë. Hic s’jam i kënaqur që jam zgjedhë aty”, tha Retkoceri për Gazetën Jeta në Kosovë.

Retkoceri thotë se që 1 vit e gjysmë është larguar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe tash nuk është më pjesë e ndonjë partie politike.

“S’jam pjesë e asnjë partie politike. Kam dhanë dorëheqje prej Vetëvendosjes që 1 vit e gjysmë.”, tha tutje Retkoceri.

Se Retkoceri nuk është pjesë e Vetëvendosjes në Lipjan, e konfirmoj edhe kryetari i degës së kësaj partie në këtë qytet.

Avni Jashari tha për Gazetën JnK se Retkoceri ka më shumë se 1 vit që është larguar nga Vetëvendosje, ndërsa në Kuvendin Komunal thotë se është asamblist i pavarur.

Anëtarët e tjerë në këtë Ndërmarrje Publike që janë emëruar më 2 prill nga Qeveria e Kosovës janë:

  • Mentor Hoxhaj – Kryesues
  • Gazmend Bytyqi – Anëtar
  • Havë Qarri – Anëtare
  • Bashkim Krasniqi – Anëtar
  • Burim Gashi – Anëtar

dhe

  • Selatin Retkoceri – Anëtar