Kadri Veseli e mirëpret në PDK ish-kryetarin e Vetëvendosjes në Lipjan

Kadri Veseli i ka uruar mirëseardhje në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) ish-kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, Selatin Retkocerit.

Përmes një postimi në Facebook, Veseli ka thënë që Retkoceri është i bindur që PDK është partia që do të bëjë ndryshime në vend.

“Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, Selatin Retkoceri, i cili ishte edhe kandidat për kryetar komune, nga sot është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Selatini është magjistër i shkencave ekonomike dhe është një veprimtar i dalluar politik. Ai tashmë është i bindur se vetëm Partia Demokratike e Kosovës ka guximin, vullnetin dhe gatishmërinë për ta bërë ndryshimin që e presin qytetarët”, ka shkruar Veseli në facebook.

Tutje Veseli ka thënë që të ardhmen e Kosovës nuk mund ta ndërtojnë ata që nuk e respektojnë flamurin e Kosovës.

“Të ardhmen e Republikës së Kosovës nuk mund ta ndërtojnë ata që dyshojnë në të, që e mohojnë identitetin shtetëror dhe që s’kanë zemër ta ngrehin lart Flamurin e Kosovës. Ne e ndërtojmë të ardhmen, për çdo qytetar, për shtetin tonë”, ka theksuar Veseli.

Selatin Retkoceri ishte kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të vitit 2017.