Veseli: Aleanca e shenjtë me ShBA-në po vihet në rrezik nga një kryeministër pa vizion

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha në një konferencë të jashtëzakonshme për media se partia e tij e merr me shqetësim serioz paralajmërimet e fundit për Kosovën nga miku ynë strategjik – ShBA për tërheqjen e trupave ushtarake dhe suspendimin e programeve zhvillimore në vlerë qindra miliona dollarë.

“Si asnjëherë më parë, kjo aleancë e shenjtë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po vihet në rrezik nga një kryeministër pa vizion e pa përgjegjësi”, tha Veseli.

“Për fat të keq, gjithnjë e më shumë po vërtetohet se kjo qeveri është rrezik për interesin nacional. Dëmi që po i shkaktohet vendit është i rëndë. Demi është bërë me aleatin tonë strategjik dhe pozitën në marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Veseli, duke shtuar se me qëllim të parandalimit të një dëmi të tillë PDK ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për nesër prej orës 15:00.

Veseli u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të ngrenë zërin kundër sjelljes së Qeverisë Kurti në raport me Shtetet e Bashkuara.