Agjencia Kosovare e Privatizimit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vendoset masë e përkohshme në rastin e ‘Agrokosovës’, AKP shprehet e befasuar

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka vendosur masë të përkohshme ndaj vendimit të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)  për tërheqjen e aksioneve dhe vendosjen e Ndërmarrjes së Re Agrokosova Holding (ish-Ndërmarrja Shoqërore “NBI Suhareka”) nën administrimin e AKP-së.

Kështu, ka njoftuar AKP duke theksuar se masa e përkohshme do të jetë deri në vendimin përfundimtar të shqyrtimit të padisë së ish-blerësit të Agrokosovës.

AKP përmes një reagimi është shprehur e befasuar me vendimin e gjykatës duke thënë se është hera e para që nga themelimi i saj që një pronë largohet nga administrimi publik dhe bartet nën administrim privat.

“Me këtë përkohësisht është vendosur që një pronë me interes publik për zhvillimin ekonomik të Kosovës të largohet nga administrimi i një institucioni shtetëror siç është AKP-ja dhe të kthehet nën administrim të palës private. AKP i respekton në tërësi vendimet e gjykatës, por është jashtëzakonisht e befasuar me vendimin e gjykatës dhe se dëshiron të njoftoj publikun e gjerë dhe të gjitha palët e interesit, se kjo është hera e parë që nga themelimi i AKP-së dhe ish-AKM-së, që për vendimet e Bordit të AKP-së për tërheqjen e aksioneve për arsye të shkeljeve të kontratave të privatizimit me spin-off special, që një pronë largohet me vendim të gjykatës nga administrimi publik dhe bartet nën administrim privat”, thuhet në reagimin e AKP-së.

Pranim-dorëzimin e ndërmarrjes AKP planifikon ta bëjë më 30 maj në objektet e Agrokosovës.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka shpjeguar se vendimi i bordit për tërheqjen e aksioneve dhe vendosjen e ndërmarrjes Agrokosova nën administrim direkt të AKP-së është marrë në përputhje të plotë me ligjin dhe  bazuar në 5 auditime të jashtme të pavarura dhe për shkak që ish-blerësi nuk i ka përmbushur zotimet sipas kontratës se shitblerjes se kësaj ndërmarrjeje.

AKP i ka bërë thirrje gjykatës që sa më shpejtë të trajtojë padinë e palës ndaj AKP pasi që blerësi mund të tjetërsojë pronat e Agrokosovës.

Sipas AKP-së, blerësi i kësaj ndërmarrjeje ishte zotuar për investimet mbi 8 milionë euro dhe punësim të rreth 200 punëtorëve që në  gjashtëmujorin e parë, zotime këto të cilat nuk i ka realizuar që nga koha e privatizimit, në vitin 2007.

“Si rezultat i mos përmbushjes së Marrëveshjes së Zotimeve, AKP nga viti 2011 deri në vitin 2013 i ka lëshuar Blerësit ndëshkimet financiare në vlerë prej 3,579,997.53 Euro, për të cilat ndëshkime Blerësi ka bërë ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DHPGJS). Ende nuk ka vendim përfundimtar të DHPGJS për këtë rast gjyqësor. Që nga fillimi i periudhës së zotimeve e deri në shtator 2019, në Ndërmarrjen e Re “Agrokosova Holding” janë realizuar pesë auditime të jashtme nga Auditorë të pavarur”, vazhdon reagimi i AKP-së.