Vendimi që kriminalizoi bastet dhe ndërtoi skemat e krimit

Vendimi i Qeverisë Haradinaj për t’u mbyllur kazinotë dhe lojërat e fatit ka mbetur pa u zbatuar.

Biznesi që dikur gjeneronte mbi  20 milionë euro taksa për shtetin tash është duke i dërguar fitimet te grupet kriminale e të parapolitikës.

Një hulumtim i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, i kryer në disa qytete të Kosovës, ka zbardhur se bastet në vend nuk janë ndalur ndërsa fitimet vetëm janë rritur për bosët dhe figurat politike që u qëndrojnë prapa.

Në Gjakovë ekipi ka zbuluar nëntë lokale bastesh të cilat suportohen nga të fortit e qytetit ndërsa funksionojnë në emër të kamerierëve e banakierëve të cilët paguhen me rroga minimale.

Skema e basteve nga bastet klasike ku tiketat shtypeshin në printer është bartur pothuajse në tërësi në serverë online. Serverë të regjistruar kryesisht në SHBA shërbejnë për të organizuar bastet.

Pronarët e lokaleve dhe poseduesit e llogarive të mëdha në server ndajnë shumat e parave për baste tek klientët e tyre ndërsa paratë dorëzohen në momentin e llogarisë dhe në rast fitimi klienti merr paratë ‘në dorë’.

Hetimet e Policisë e Prokurorisë deri më tani nuk kanë arritur të zbardhin se kush janë pronarët e serverëve ndërsa fitimet për shitësit apo tregtarët e llogarive në terren shkojnë deri në 40% të shumës totale.

Skema e shpërndarjes është mjaft e thjeshtë, ajo mund të bëhet nga telefoni, laptopi, kompjuteri apo tabletët e ndryshëm.

Mjafton vetëm ta krijosh User-in dhe të kërkosh nga këta persona që ta mbushin llogarinë.

Organizimi i basteve online duke kryer pagesat në ‘cash’ është i vështirë për t’u gjurmuar ndërsa policia arrin t’i kapë përdoruesit vetëm me përdorimin e masave të fshehta.

Skema tjetër

Një skemë tjetër e basteve po ashtu e sofistikuar është ndërtuar duke përdorur kompjuterët e makinave të “sllot” të cilat ishin përdorur më parë dhe njiheshin si aparatet e kazinove.

Kompjuterët e tyre janë lidhur me televizor ndërsa loja zhvillohet duke paguar paratë tek menaxherët e lokaleve ndërsa lojtari ka në dorë vetëm një maus.

Qindra pajisje të tilla besohet të jenë adaptuar në këtë formë ndërsa ekipi ka hasur në të paktën 3 lokacione, ku duke përdorur kamerat e fshehura i ka filmuar.

Pajisjet janë vështirë të identifikueshme për Policinë pasi me një click mund të ndërrohet programi.