Foto: Ilustrim

Operacioni i Policisë së Shtetit kundër lojërave të fatit, një person shpallet në kërkim

Gjatë ditës së sotme Policia e Shtetit ka zhvilluar operacionin e koduar “Basti i fundit” i cili kishte për qëllim goditjen e organizimit të lojërave të fatit.

Policia ka njoftuar se shtatë persona janë të dyshuar pasi u kapën duke organizuar lojëra të fatit në një local të paregjistruar.

Një person tjetër është shpallur në kërkim, i njëjti dyshohet se kishte marrë më qira ambinetin ku zhvillohej veprimtaria.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”, për goditjen e informalitetit dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë vijuar kontrollet në ambiente të ndryshme.

Si rezultat kanë evidentuar dhe goditur një rast tjetër të këtyre paligjshmërive, për të cilin është iniciuar hetimi në gjendje të lirë, për 7 persona, konkretisht: E. K., 39 vjeç, F. G., 21 vjeç, K. V., 26 vjeç, K. B., 37 vjeç, R. M., 29 vjeç, E. Sh., 27 vjeç, E. D., 30 vjeç, banues në Korçë dhe në fshatrat Bulgarec, Dishnicë dhe Libonik.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim edhe shtetasi D. B., 18 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në një lokal të paregjistruar në organet kompetente, në lagjen nr. 11, të marrë me qira nga shtetasi D. B., u kapën 7 të dyshuarit, duke luajtur lojëra fati (bixhoz me zare), në kundërshtim me ligjin.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 tavolinë pokeri, një sasi çipsash, letra bixhozi dhe një shumë parash që dyshohet se ishte përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”; “Fshehja e të ardhurave” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.