Prokuroria Speciale pretendon se ka zbuluar se si bastexhinjtë i deponuan paratë në bankë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 13 personave për veprat penale shpëlarje parash, organizim të lojërave të fatit, bixhoz e armëmbajtje pa leje.

Të akuzuar në këtë rast janë S.S., G.K., S.F., A.P., L.P., F.H., F.S., J.Gj., F.K., D.A., B.S., T.P dhe Rr.M.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të akuzuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në vazhdimësi nga koha e pacaktuar e deri në mars të vitit 2021 në bashkëkryerje kanë organizuar lojëra të fatit (Bastore).

Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Prokuroria Speciale tutje pretendon se ka zbuluar se si bastexhinjtë i deponuan paratë në bankë.

“Të pandehurit G.K, dhe S.F., duke e ditur që pasuria e tyre buron nga kryerja e veprave penale, me qëllim të fshehjes së burimit të vërtet të pasurisë, paratë e tilla i kanë futur në sistemin bankar duke i deponuar të hollat e pastaj e kan bërë fshehjen e tyre përmes transferove bankare me qëllim që në fund t’i integrojnë duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme, duke kryer kështu veprën penale të shpëlarjes së parave”- thuhet në njoftim.

“Kurse F.S., S.F., dhe F.D., në lokalet e bastoreve secili veç e veç kanë mbajtur dhe poseduar armë ku të njëjtat janë konfiskuar nga policia gjatë kontrollit”- vijon njoftimi.

Nga viti 2019, me ligj janë të ndaluara të gjitha lojërat e fatit në territorin e Republikës së Kosovës.