Vendimi për letërnjoftimet po zbatohet dhe do të vazhdojë derisa të hiqen barrikadat

Përkundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtyrje për një muaj të zbatimit të dy vendimeve të saj për ndalimin e targave ilegale dhe reciprocitetin për dokumentet e identifikimit të Serbisë, vendimi i fundit është duke u zbatuar nga Policia Kufitare..

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Departamentit të Kufirit, Ragip Bunjaku.

“Ka filluar zbatimi i vendimit të Qeverisë, asgjë tjetër. Për vendim pyeteni Qeverinë, ne jemi duke e zbatuar atë”, tha shkurt drejtori i Kufirit, Ragip Bunjaku për KALLXO.com.

Burime të KALLXO.com bëjnë me dije se vendimi për letërnjoftime do të zbatohet deri në momentin e heqjes së barrikadave të vendosura gjatë të dielës nga qytetarë serbë në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.