Ilustrim - Foto: KALLXO.com (29.08.2022)

Marrëveshjet nuk i heqin autoblindat nga veriu

Ani pse para dy ditësh u njoftua se mes Kosovës e Serbisë është arritur një marrëveshje për çështje të letërnjoftimeve, marrëveshja nuk e ka demilitarizuar veriun e vendit.

Pamjet e KALLXO.com nga Bërnjaku e Leposaviqi tregojnë për prezencë të automjeteve të blinduara.

Në pamje shihet se Policia vazhdon të lëvizë me autoblinda ndërsa KFOR po mban pikat e vendosura ditë më parë.

Dy “Toyota” të blinduara dhe dy “Humvee” përcjellin Policinë për në Jarinjë, rrugë kjo që tashmë për ta duket se është bërë përditshmëri.

Në rrugën për në Jarinjë KFOR-i është i vendosur në tri pika.

Mirëpo, afër Zveçanit patrulla nuk është e blinduar gjersa më thellë në zonë shtohen autoblindat.

Në dalje të Leposaviqit KFOR-i shfaqet i blinduar. Aty janë vendosur trupat amerikane. Këto forca janë vendosur edhe më tutje në afërsi të pikës në Jarinjë.

Në pamjet e KALLXO.com vërehet se zbarkimi i Policisë në Jarinjë ka një ceremoni: rruga aty bllokohet deri kur të kryhet ndërrimi.

Ani pse bie shi, kjo nuk i pengon punimet në ndërtimet e zonës.

Ndërkaq, kthimi nga Jarinja është pa probleme. Mirëpo, pikë problematike del të jetë Bërnjaku, ku në rrugë janë vendosur sërish trupat e KFOR-it.

Pika kufitare vazhdon të jetë nën mbikqyrje të rreptë. Skaj saj është vendosur pika e Policisë Kufitare.

Aty Policia është e stacionuar pas mureve të betonta, kurse zona kontrollohet vazhdimisht nga policë të armatosur rëndë.

Më 31 korrik Policia e Kosovës kishte njoftuar se ka mbyllur pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

“Policia e Kosovës ka mbyllur kufirin për qarkullim udhëtar dhe për automjete në pikë kalimet kufitare Bernjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve  në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak” – ishte thënë në njoftim.

Mbyllja e kufirit nga ana e Policisë ishte bërë pas aksioneve të qytetarëve serbë të Kosovës të cilët kanë bllokuar rrugët që çojnë në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë.

Gjithashtu, PK-ja kishte bërë të ditur se po atë ditë kishte pasur gjuajtje me armë në drejtim të pjesëtarëve të policisë në pjesën veriore të vendit.

“Policia njofton se janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve” – ishte thënë në njoftimin e policisë.

Gjashtë orë para se të hynin në fuqi vendimet e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e përdorimit të targave të automjeteve të regjistruara në Serbi me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe pajisja e shtetasve serbë me fletë-deklarime kur hyjnë në Kosovë (reciprociteti me dokumentet e identifikimit), në veri të Kosovës u lëshuan sirenat e alarmit nga strukturat ilegale serbe.

Pas këtij alarmi në orët e mbrëmjes të datës 31 korrik, i cili u dëgjua në gjithë pjesën veriore të Mitrovicës, ishin qytetarët serbë në veriun e vendit ata që bllokuan rrugët në nëntë pika, edhe ato të cilat çojnë drejt dy pikave kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Përmes një video adresimi, kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte thënë se përgjegjësit kryesorë për tensionet në veri janë Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkovic.

“Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat”, kishte shkruar kryeministri Kurti teksa kishte bashkangjitur edhe një video adresim lidhur me situatën e asaj nate.

Mirëpo, pas takimit me ambasadorin amerikan, Qeveria e Kosovës doli me një deklaratë përmes së cilës dha zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Pas kësaj, situata filloi të qetësohej dhe të nesërmen filloi edhe largimi i barrikadave.