Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak (djathtas) dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Mitrovicë e Veriut, 25 gusht 2022. Foto: REL

Lajçak dhe Escobar përfundojnë takimet në Beograd

Zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, më 25 gusht kanë mbajtur takime me zyrtarët serbë në Beograd.

Takimi i tyre i parë ishte me drejtorin e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Peter Petkoviq.

Më pas Lajçak takoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe gjysmë ore më vonë atyre iu bashkua edhe Escobari.

Pas këtyre takimeve nuk pati asnjë adresim për media.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për dy ditë kanë qëndruar në Kosovë, ku janë takuar me liderë institucionalë dhe të partive opozitare.

Paraditen e 25 gushtit ata u takuan edhe me përfaqësuesit politikë të serbëve në Mitrovicën e Veriut.

Lajçak tha se në veri të Kosovës nuk mund të përsëriten tensionet e 31 korrikut, kur disa serbë lokalë ngritën barrikada, për të penguar Qeverinë e Kosovës në zbatimin e vendimeve të saj për targa dhe dokumente udhëtimi.

Qëllim i vizitës së tyre u tha të jetë shmangia e përsëritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Disa serbë në veri u rebeluan më 31 korrik, pasi Qeveria e Kosovës mori vendim për riregjistrimin e makinave të tyre – nga targat që i lëshon Serbia me targa të Kosovës – si dhe për lëshimin e dokumenteve të Kosovës për të gjithë serbët që hyjnë në Kosovë.

Pas tensionimit të situatës dhe sugjerimit të bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës e shtyu zbatimin e vendimeve të saj për 1 shtator./REL