Njëri nga të dyshuarit serb, të ndaluar në Jarinjë

Vendimi i gjykatës për dy shtetasit serbë të arrestuar në Jarinjë nën dyshimet për terrorizëm

Dy shtetasit e Serbisë, Sinisha Jevtiq dhe Ivan Sekuliq, të arrestuar më 31 maj në Jarinjë nën dyshimet për vepra penale të terrorizmit, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale do mbeten në paraburgim edhe për një muaj, me vendim të Gjykatës.

Vazhdimin e masës së paraburgimit e konfirmoi për KALLXO.com, zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehurve S.J dhe I.S, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur për vazhdimin e masës së sigurisë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve  S.J dhe I.S,  ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar edhe për 1 (një) muaj, për secilin”- konfirmoi për KALLXO.com, Gashi

Gjatë kontrollimit të pandehurve i’u gjetën armë të ftohta në bagazh të makinës dhe pajisje shpërthyese me intensitet të fuqishëm, maska kamuflazhi dhe kapelë më mbishkrime “Baretave Serbe” si dhe 1 thikë e cila ishte ushtarake, dhe 4 sprej, përveç këtyre, u gjetën edhe një shufër metalike, çekan metalik dhe substance me përmbajtje të panjohur të cilat planifikoheshin kundër KFORIT dhe Policisë së Kosovës

Të njëjtëve iu ishte caktuar paraburgimi për 30 ditë më 1 qershor të këtij viti.

Sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, të arrestuarve i’u gjetën armë të ftohta në bagazh të makinës dhe pajisje shpërthyese me intensitet të fuqishëm, maska kamuflazhi dhe kapelë më mbishkrime “Baretave Serbe” si dhe 1 thikë e cila ishte ushtarake, dhe 4 sprej.

Gjithnjë sipas dosjes së prokurorisë, përveç këtyre, u gjetën edhe një shufër metalike, çekan metalik dhe substance me përmbajtje të panjohur të cilat planifikoheshin kundër KFORIT dhe Policisë së Kosovës.

Prokuroria ka vlerësuar se nëse të arrestuarit do t’i bashkoheshin protestës do të kishte rrezik në shkallë të gjerë për pasoja më të mëdha.

Mbi ta rëndojnë veprat penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të pa autorizuar të armëve” dhe “Pjesëmarrja në turmat që kryen vepra penale dhe huliganizmi”.

Nga këto informacione e siguruara nga Prokuroria Speciale ka rezultuar se të pandehurit kishin hyrë në territorin e Kosovës me qëllim të pjesëmarrjes aktive në turmën e protestuesve të dhunshëm, nga veprimet të cilëve deri më tani dihet se janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tre nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe janë shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovë, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite në 4 komunat në veri të Kosovës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë dorëzuar Gjykatë.

Dosja e Prokurorisë zbardh edhe faktin se i dyshuari Sinisha Jevtiq kishte tentuar të hynte në territorin e Kosovës edhe më parë, por që të njëjtit nuk i ishte lejuar futja në territorin e Kosovës.

Të dhënat e Prokurorisë tregojnë se i pandehuri Sinisha Jevtiq dhe Ivan Sekuliq, kanë të regjistruar hyrje vetëm më datë 30.05.2023, në ora 23:24 dhe nuk kanë ndonjë hyrje tjetër në territorin e Republikës së Kosovës.

Dosja tregon se i pandehuri ishte kthyer në Rashkë/Serbi, ku ishte takuar me të pandehurin Ivan Sekuliq, me të cilin ishin kthyer sërish në drejtim të Kosovës dhe kishin hyrë në pikën kufitare në Jarinjë.

Detaje të tjera lidhur me këtë rast mund ti lexoni duke klikuar në këtë LINK.