Ilustrim

Zbardhet dosja se si u nisën nga Serbia dy të arrestuarit për terrorizëm nga policia

Sinisha Jevtiq dhe Ivan Sekuliq, dy serbët e arrestuar dje në pikën kufitare në Jarinjë që po hetohen nga Prokuroria Speciale për vepra penale të terrorizmit, njëri ishte luftëtar në Koshare në vitin 1999, ndërsa tjetri është me profesion polic.

Sipas dosjes, së Prokurorisë Speciale të siguruar nga KALLXO.com, i dyshuari Sinisha Jevtiq kishte tentuar të hynte në territorin e Kosovës edhe më parë por që të njëjtit nuk ishte lejuar futja në territorin e Kosovës.

Të dhënat e Prokurorisë tregojnë se i pandehuri Sinisha Jevtiq dhe Ivan Sekuliq, kanë të regjistruar hyrje vetëm më datë 30.05.2023, në ora 23:24 dhe nuk kanë ndonjë hyrje tjetër në territorin e Republikës së Kosovës.

Dosja tregon se i pandehuri ishte kthyer në Rashkë/Serbi, ku ishte takuar me të pandehurin Ivan Sekuliq, me të cilin ishin kthyer sërish në drejtim të Kosovës dhe kishin hyrë në pikën kufitare në Jarinjë.

Prokuroria sqaron se të dyshuarve u është dhënë mundësia e ofrimit të mbrojtjes, ku janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës si dhe përkthyesit zyrtar në gjuhën serbe.

“Pretendimi i të pandehurve për hyrje në Kosovë ishte “pjesëmarrja në lutje në një kishë në Komunën e Leposaviqit”, version i cili është në kundërshtim me provat e siguruara deri më tani e që provojnë dyshimet e përshkruara si në kërkesë”, thuhet në dosjen e siguruar nga KALLXO.com.

“I pandehuri Ivan Sekuliq, kur është pyetur se si e ka ditur që në Kosovë do të mbahet një lutje e tillë në një kishë në Leposaviq, është përgjigjur se ‘para dy javësh kam qenë në Lubjanë/Slloveni në një lutje në një kishë dhe aty më është thënë se e njëjta lutje do të bëhet edhe në Kosovë’. Pasi që është folur për Kosovë, ai në Kosovë nuk kishte qenë asnjëherë me parë por kishte dashur që të merrte pjesë në këtë lutje, e cila mbahet në një kishë në Kosovë, por pa e ditur saktë vendin, pasi që gjatë meshës kinse nuk ju ishte thënë për vendin se ku do të mbahet mesha”.

“Të hënën kam komunikuar me të dyshuarin Sinisha Jevtiq nga Krushevci, i cili më tha se njerëzit janë duke u bërë gati me ardhë”, sqarohet në dosjen e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë i dyshuari tjetër Sinisha Jevtiq gjatë intervistimit ka deklaruar se qëllimi i ardhjes së tij në Kosovë ka qenë kryerja e disa lutjeve fetare në një kishë në Komunën e Leposaviqit.

“Nuk ka të bëjë asgjë me protestat që janë duke u zhvilluar në veri të Mitrovicës. Sa i përket sendeve të gjetura në veturën dhe në çantën e tij, si maska dhe gjësende të tjera, ai ka deklaruar se ato gjëra kanë mbetur pasi që ka qenë me to në një protestë në Serbi”, thuhet të ketë deklaruar i pandehuri Jevtiq.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale të siguruar nga KALLXO.com thuhet se i pandehuri Sinisha Jevtiq ka qenë pjesëtar i ushtrisë Jugosllave dhe i dekoruar edhe me medalje nga Millosheviqi, për merita në luftën e Koshares.

Në dosje thuhet se nga përpunimi i të dhënave të siguruara nga policia, ka dyshime se në protestat e dhunshme të datës 29.05.2023 në veri të Kosovës kanë marrë pjesë persona nga njësia speciale 63, 72 e ushtrisë së Serbisë si dhe njësia policore ushtarake 125.

Policia e Kosovës sipas Prokurorisë Speciale ka siguruar informacione për dyshimet për kryerjen e veprave penale të pandehurit.

“Nga këto informacione ka rezultuar se të pandehurit kanë hyrë në territorin e Kosovës me qëllim të pjesëmarrës aktive në turmën e protestuesve të dhunshëm, nga veprimet të cilëve deri më tani dihet se janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe janë shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovë, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite në katër komunat në veri të Kosovës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë dorëzuar Gjykatës.

Jevtiq sipas dosjes së Prokurorisë është nga Bogatiçi, Rrethi Maçva – Serbi, Ivan Sekuliq është nga Beogradi.

Ata po dyshohen për përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm.

Ndaj tyre Prokuroria Speciale ka bërë kërkesë në Gjykatë për caktimin e masë së paraburgimit.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale të dyshuarit Jevtiq dhe Sekuliq më datë 31.05.2023, rreth orës 23:25, në pikën kufitare Kosovë – Serbi në Jarinjë kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.

Dosja zbardh se dy të dyshuarit në veturën me të cilën po udhëtonin po bartnin mjete të rrezikshme, si armë të ftohta dhe pajisje për shpërthime, maska kamuflazhi, kapelë e “Beretave serbe”, thikë ushtarake, thika të tjera, disa kartela me simbole nacionaliste serbe, sprej, një piper sprej, shufër metalike e policisë, kartelë e veteranit të luftës e lëshuar nga autoritetet serbe, çekan metalik dhe disa substanca të tjera në formë të ngurtë, përmbajtja e të cilave nuk dihet aktualisht, sende dhe pajisje këto të planifikuara për t’i përdorë në sulmet ndaj ushtarëve paqeruajtës të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.

Prokuroria në arsyetimin e kërkesës për caktimin e paraburgimit thekson se nga analiza e detajuar që u është bërë mjeteve me të cilat janë sulmuar ushtarët e KFOR-it tek objektet e komuna në veriun e Republikës së Kosovës, në të cilat kanë marrë pjesë një turmë personash, kryesisht të maskuar dhe me role të ndara, në të cilat për sulm janë përdorë kryesisht shkopinjtë, shufrat metalike, thikat, maskat, spreji, bombat shokuese, koktejet e molotovit, bombat si dhe armët e zjarrit, rezulton lidhja me sendet dhe pajisjet e gjetura dhe të sekuestruara nga të pandehurit.

Gjithashtu dosja e Prokurorisë sqaron se informacionet e burimeve të policisë kanë provuar faktin se ekzitojnë përpjekje që në Republikën e Kosovës të hyjnë persona të trajnuar mirë dhe me armë, për të ju dhënë ndihmë qytetarëve në protestat e zhvilluara në veri.

“I pandehuri Sinisha Jevtiq, ka edhe të kaluar ushtarake. Sipas deklarimit të të pandehurit Sinisha Jevtiq, ai nuk kishte qenë këto vite në Kosovë, e ky fakt përkon me informacionet e inteligjencës se persona me përvojë ushtarake do të hyjnë në Kosovë për t’i përkrahur protestuesit, si dhe gjësendet e gjetura vërtetojnë lidhshmërinë e pajisjeve të përdorura në protestë dhe të atyre që i janë sekuestruar të dyshuarve. Në mesin e sendeve të sekuestruara ka edhe pajisje elektronike, ku nga ekzaminimi i tyre besohet se do të sigurohen prova shtesë që do të ndihmojnë hetimin”, thuhet në dosjen e siguruar nga KALLXO.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit prokuroi thekson se nëse të njëjtit do ishin pjesë e ngjarjeve të dhunshme të datës 29.05.2023 pasojat do të ishin shumë më të mëdha.

Sipas Prokurorisë nëse të dyshuarit lihen në liri ekziston rreziku i arratisjes si mundësi reale, do të mund ta përdorin edhe krijimin e një versioni të një “gjendjeje faktike të rreme” sikurse kanë tentuar duke deklaruar se qëllimi i tyre për të hyrë në Kosovë ka qenë pjesëmarrja në një meshë kishtare, por ky version është në kundërshtim me provat e siguruara dhe ka për qëllim shmangien nga e vërteta dhe përgjegjësia penale.

Prokuroria po ashtu, vlerëson se pesha e veprave penale është e natyrës së rëndë dhe rrezikshmëria shoqërore e tyre tejet e lartë.

“Kemi të bëjmë me vepra penale me të cilat atakohet në mënyrë të drejtpërdrejtë siguria e vendit, liria e lëvizjes, siguria e qytetarëve, por më e rëndësishmja, jeta e personave zyrtarë përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Këto rrethana, krijojnë dyshimin se të pandehurit nëse lihen në liri, do të kryejnë sërish vepra penale, në rrethana të njëjta ose më të rënda, pasi që në zonën e cekur janë duke vazhduar tubimet e protestuesve dhe se gjendja e përgjithshme është ende e tensionuar dhe e brishtë”.

Prokurori i rastit duke u bazuar në rrethanat e këtij rasti, vlerëson se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë të procedurës është më së i domosdoshëm edhe i arsyeshëm për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

KALLXO.com raportoi lidhur me të kaluarën e dy të arrestuarve nga Policia e Kosovës në Jarinjë.

Arrestimet në veri, si u kapën polici dhe ish luftëtari i Koshares