Vdes 11-vjeçari që kishte rënë në Liqenin Akumulues të Mitrovicës

11-vjeçari i cili para disa ditësh kishte rënë në Liqenin Akumulues në Mitrovicë nuk ka arritur t’iu mbijetojë lëndimeve që mori.

Rastin e vdekjes së tij për KALLXO.com e ka konfirmuar Policia e Mitrovicës.

“Sipas udhëzimit të prokurorit duhet të merret edhe një deklaratë nga prindi e mandej trupi i pajetë mund të tërhiqet nga familja”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Ilmi Prekazi.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.

Bahtiri i ka shprehur ngushëllime familjes.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin se ka ndërruar jetë 11 vjeçari, i cili para disa ditësh kishte rënë në Liqenin Akumulues. Fatkeqësisht, Blentoni nuk iu mbijetoi lëndimeve të marra nga rënia në liqe, edhe pas disa ditëve të trajtimit mjekësor”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.