Vdekja e punëtorit në vendin e punës në Novobërdë, Inspektorati: Rasti në procedurë

Më datë 21.05.2024, një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti në vendin e punës në Novobërdë, e për këtë kishte njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas raportit të PK-së, viktima derisa ka qenë duke punuar në një shtëpi ishte rrëzuar nga çatia. Policia kishte thënë se viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku edhe kishte ndërruar jetë.

KALLXO.com i është drejtuar Inspektoratit të Punës për të ditur më shumë rreth rastit. Kky institucion është përgjigjur sot më datë 24.05.2024 duke thënë se Inspektorati për aksidentin e ndodhur është njoftuar nga Policia e Kosovës dhe se rasti është në procedurë.

Sipas Ligjit për Siguri dhe Shëndet Në Punë nr.04/L-161 është detyrim i punëdhënësit që të lajmërojë inspektoratin e punës në rastet kur ndodh aksidenti me pasojë lëndim apo vdekje të punëtorit.

“ Neni 23” Njoftimi për aksidentet në punë” 1. Në rastet kur ka ndodhur aksidenti me pasojë lëndimin apo vdekjen e të punësuarit, punëdhënësi është i detyruar ta lajmërojë menjëherë inspektorin e punës.”

Tutje, Inspektorati i punës ka njoftuar se me marrjen e informacionit nga policia, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se aksidenti kishte ndodhur në vendin e punës si dhe ndër të tjera:

“Vendin ku ka ndodh aksidenti dhe adresën, ientitetin e të aksidentuarit, moshen e tij, vendbanimin prej nga është, identitetin e pronarëve të objektit ku ka qenë duke punuar i aksidentuari në momentin e aksidentimit, si dhe çka ka qenë duke punuar në pozicionin përkatës në momentin e aksidentimit i aksidentuari.” – përshkuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Punës.

Në fund të përgjigjes është thënë se rasti është në procedurë.

Lidhur me këtë, Prokuroria e Gjilanit më 22.05.2024 kishte thënë për KALLXO.com se rasti është kualifikuar si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’’ dhe është duke u hetuar në procedurë të rregullt.

“Ju njoftojmë se për këtë rast, prokurori kujdestar, policia dhe njësitet tjera relevante menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe rasti është kualifikuar si ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’” – thuhej në përgjigjen e prokurorisë.