Ilustrim

Vdekja e punëtorit në vendin e punës në Novobërdë, detaje nga prokuroria

Policia e Kosovës ka njoftuar se dje, më 21.05.2024, një person ka vdekur në vendin e punës në Novobërdë.

Sipas raportit të PK-së, viktima derisa ka qenë duke punuar në një shtëpi është rrëzuar nga çatia.

Policia kishte thënë se viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku edhe ka vdekur.

Lidhur me këtë, Prokuroria e Gjilanit ka thënë për KALLXO.com se rasti është kualifikuar si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’’.

“Ju njoftojmë se për këtë rast, prokurori kujdestar, policia dhe njësitet tjera relevante menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe rasti është kualifikuar si ‘’Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” – thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Sipas njoftimit viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe pas konstatimit të vdekjes së tij, prokurori kujdestar kishte dhënë urdhër që trupi i pa jetë të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe ka autorizuar policinë që të ndërmarrin veprime tjera hetimore në lidhje me këtë çështje penale.

KALLXO.com ka pyetur Prokurorinë e Gjilanit nëse është ndaluar dikush në lidhje me këtë rast por prokuroria nuk ka dhënë përgjigje duke thënë se për detaje do të njftojnë me kohë.