Foto: KALLXO.com

Vazhdon gjykimi i zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës të akuzuar për tenderin për autostradën e Gjilanit

Në Gjykatën e Prishtinës sot ka vazhduar seanca ndaj Betim Reçicës, Isa Berishës, Mirdit Eminit dhe Leonora Limanit, të cilët akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare si zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në këtë seancë u dëgjuan dy dëshmitarë si dhe i dëmtuari në këtë rast, Naim Sallahu.

Dëshmitarja e parë B.G. në pyetjet e palëve u përgjigj duke thënë se si zyrtare e prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës bashkë me zyrtarët e tjerë ka punuar edhe jashtë orarit.

Për këtë punë ajo tha se ishte paguar me pagë shtesë në shumë prej 500 euro.

Sipas saj punën jashtë orarit e bënin për shkak të vëllimit të madh të punëve.

Më pas u dëgjua edhe dëshmitari B.H., i cili tha se në cilësinë e drejtorit për buxhet dhe financa në Ministrinë e Financave dhe në Departamentin e tij po ashtu kishte vëllim të madh të punëve dhe mungesë të stafit.

Andaj ai deklaroi se kishte bërë kërkesa për rekrutimin e zyrtarëve dhe pasi që kjo nuk i është mundësuar ai ka bërë kërkesë për shtesa për punëtorët e tij.

Në radhë për të dëshmuar ishte i dëmtuari Naim Sallahu.

Sallahu para Gjykatës elaboroi gjithë ecurinë e ngjarjes që nga momenti i aplikimit për tender, e deri në momentin e refuzimit të kërkesës për rivlerësim.

Sipas Sallahut, organi kontraktues, në këtë rast Ministria e Infrastrukturës, ka bërë shkelje të shumta në rastin e vlerësimit dhe rekomandimit të operatorëve ekonomikë për kontratë për tender si dhe shtoi se Ministria nuk ka vlerësuar drejt kompaninë e tij në pikat në të cilat është eliminuar, të cilën, sipas tij, e dëshmon në të gjitha provat.

Betim Reçica po akuzohet për disa vepra penale, përfshirë ushtrim ndikimi, shpëlarje të parave si dhe dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Ndërsa, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Sipas Prokurorisë,  Betim Reçica, në cilësinë e ish- u.d. drejtorit të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës kishte ndikuar tek anëtarët e komisionit rivlerësues për tenderin e ndërtimit të autostradës së Gjilanit.

Këtë vepër, sipas Prokurorisë, Reçica e kishte kryer duke u bërë presion anëtarëve të komisionit që rivlerësimin ta kryejnë për 10 ditë.

Sipas aktakuzës, Reçica i kishte kërkuar komisionit që paraprakisht të vinin në takim me ministrin e atëhershëm e pastaj ta shpallnin fitues kompaninë “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit.

Për të njëjtin tender Reçica akuzohet për keqpërdorim të detyrës pasi sipas Prokurorisë ai e kishte ndryshuar raportin e komisionit rivlerësues për kompaninë “Gjoka Konstruktion” dhe të njëjtën e kishte shpallur kompani fituese të tenderit edhe pse nuk i kishte plotësuar kriteret për t’u shpallur kompani e përgjegjshme.

Po ashtu, Reçica akuzohet se gjatë kohës sa ishte sekretar i Ministrisë së Infrastrukturës kishte marrë një vendim me të cilin në mënyrë të kundërligjshme u kishte dhënë paga shtesë 14 zyrtarëve të Ministrisë edhe pse ishin të angazhuar me detyra të rregullta të punës.

Të njëjtin veprim Reçica akuzohet ta ketë marrë edhe me vendimin përmes të cilit kishte urdhëruar kompensime financiare për dy zyrtarë të tjerë të Ministrisë.

Po ashtu, sipas aktakuzës, ai kishte marrë një vendim që dy zyrtarëve H.M. dhe A.B. t’u bëhej kompensim financiar nga 250 euro në muaj në mënyrë retroaktive që nga viti 2010 kur ishin punësuar.

Ky veprim, sipas Prokurorisë, e ka dëmtuar buxhetin në vlerë 68 mijë euro.

Reçica pos tjerash akuzohet edhe për shpëlarje të parave pasi sipas Prokurorisë me qëllim që të fshehte prejardhjen e parave kishte blerë një veturë Audi F2 S7 sport të vitit 2019 dhe të njëjtën e kishte regjistruar në emër të vëllait të tij.

Ndërsa zyrtarët Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini akuzohen se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare pasi nuk e kishin shpallur fitues të tenderit operatorin ekonomik më çmimin më të ulët për ndërtimin e autostradës së Gjilanit edhe pse kriter ishte përcaktuar çmimi më i ulët.