Vazhdon edhe sot protesta e infermierëve

Po vazhdon edhe sot protesta e infermierëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo është hera e tretë që këta infermierë janë duke protestuar dhe të cilët po kërkojnë vazhdimin e kontratave në punët e tyre.

“Ju të gjithë po krenoheni me menaxhim të pandemisë. Mos harroni ne ishin arsyeja”

“Ne infermierëve me vendimin që e more ministër na vrave moralin, na çarmatose shpresat për një jetë të mirë, na humbe mundin e pandemisë, na vrave qëllimin dhe mbi të gjitha shpërbleve Evropën”

Këto janë disa prej shënimeve të shkruara në pankartat që u vendosën sot pranë zyreve të Ministrisë së Shëndetësisë.

Përfaqësuesja e protestës, Arlinda Hadri – Mustafa, thotë se kanë punuar tetë muaj, dhe si përfundim nuk janë vazhduar kontrata e tyre.

“Ne po kërkojmë prej ministrisë së shëndetësisë që ta rishikojnë edhe një herë vendimin e tyre sepse kanë dal edhe në kundërshtim me vetën. Ne kemi qenë me kontrata të punës një javë para se me skadu kontratat tona ka dalë një konkurs tjetër nga Ministria e Shëndetësisë ku janë punësuar 422 infermier të rinj”, tha Hadri Mustafa.

“Ne kur kemi qenë me ministrinë dhe i kemi pyetur a kemi të drejtë të aplikojmë në këtë konkurs ata kanë thënë që kemi të drejtë vetëm nëse e bëjmë shkëputjen e kontratave që e keni” , u shpreh ajo.

Përfaqësuesja e protestës tutje sqaron se në takim me sekretarin e shëndetësisë, Naim Bardiqi, ky i fundit është arsyetuar se kontratat e tyre kanë qenë kontrata mbi vepër, përveç kësaj ajo thotë se sekretari ka thënë se në rast se infermierët sëmuren nuk kanë të drejtë të marrin pushim mjekësor.

“Arsyet tjera kanë qenë se kinse kontrata tona kanë qenë me kontratë mbi vepër dhe nuk mundësi të vazhdohet më shumë se 6 muaj. Kontrata jonë nuk është kontratë mbi vepër është kontratë e bazuar mbi ligjin e pandemisë që është me mundësi vazhdimi. Dhe arsye tjetër është cek që ju i keni kontratat me kusht që edhe nëse sëmureni nuk keni të drejtë të merrni pushim mjekësor dhe ju menjëherë e humbni vendin e punës”, u shpreh ajo.

Me pankartën mbi duar që shënonte “Rrezikova vetën dhe familjen time për të shpëtuar ty dhe familjen tënde dhe si u shpërbleva?”, ka protestuar edhe infermierja, Fitore Jonuzi.

Ajo thotë se ka punuar në spitalin rajonal të Mitrovicës për tetë muaj radhazi dhe se ka përvojë në punën e infermieres.

Mos vazhdimi i kontratave për të është i paarsyeshëm.

“Kërkesa jonë është vazhdimi i kontratave ose në konkursin e radhës me na marr si prioritet. Unë kam punuar 3 vjet e tetë muaj si infermiere gjithmonë me projekte se nuk e kam pas mundësi të punësohem si e rregullt”, tregon ajo.

Për t’i përkrahur infermierët në protestë doli edhe kryetari i sindikatës së infermiereve Fitim Havolli.

Ai kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë që t’i marrin parasysh kërkesat e infermierëve.

“Ne edhe jashtë pandemisë kemi mungesë të këtij komuniteti dhe unë nuk e kuptoj ku është arsyeja, së paku pse nuk ulen të analizojnë cilat janë kërkesat e vërteta të këtij komunitetit”, u shprehë Havolli.

Për të tretën herë radhazi janë duke protestuar infermierët e angazhuar gjatë pandemisë në të gjithë rajonin e Kosovës.

Në anën tjetër protestuesit kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me protesta deri sa të merren parasysh kërkesat e tyre.