Vazhdon protesta e infermierëve, nesër do të dorëzohet peticioni tek krerët e lartë të shtetit

Mantelat e bardha i vendosën infermierët të cilët po kërkojnë t’i vazhdohet kontrata, në hyrje të Ministrisë së Shëndetësisë si shenjë pakënaqësie për mospërfilljen e kërkesës së tyre deri më tani.

Njëra ndër përfaqësueset e protestës së infermierëve, Arlinda Mustafa, tha se do të vazhdohet protesta e tyre deri sa të merren parasysh kërkesat e tyre. Ajo tha se mbi 100 infermierë e kanë nënshkruar peticionin i cili do të dorëzohet nësër tek Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tek Kryeministri Albin Kurti, tek Ministria e Shëndetësisë si dhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

“Nesër do e dërgojmë letrën që e kishim për Valbon Krasniqin me drejtorin e ShSKUK-së u munduam me dorëzu por, sekretarja e tij nuk e pranoi edhe pse me ligj është e ndalur mos me u pranu peticionet”, tregoi ajo.

Mustafa, tregoi se sot janë takuar me sekretarin e Ministrit të Shëndetësisë Naim Bardiqi, me të cilin kanë diskutuar rreth kerkesave të tyre, por infermierja thotë se Bardiqi u ka thënë se nuk kanë nevojë për infermierë, madje institucionet shëndetësore në vend kanë shumë infermierë.

“Na tha tregoni kërkesat e juaja se çfarë keni, ne i terguam që dëshirojmë të vazhdohen kontratat, ne kemi menduar që vendi ynë ka shumë nevojë për infermierë, tha ‘jo nuk kemi shumë nevojë për infermierë në bazë të statistikave që i kemi’”, thotë ajo.

Mustafa tutje tregoi se në muajin tetor 2020 ishin nënshkruar kontrata për tre muaj, pastaj për pesë muaj.

Mbi 360 infermierë kanë protestuar edhe ditë më para para Klinikës Infektive në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës me kërkesën për vzhdimin e kontratave.

Rreth 360 infermierë protestuan para infektivës, kërkojnë vazhdimin e kontratave të punës