Uran Ismaili: Viti 2020 do të jetë vit i sigurimeve shëndetësore

Në janar të vitit 2020 do të fillojë ekspertiza gjermane për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore për qytetarët e Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Uran Ismaili, tha në një konferencë për media se nga viti i ardhshëm qytetarët do të kenë sigurime shëndetësore.

Gjithashtu Ismaili tha se si ministri janë duke u munduar që ky Fond të mos krijojë borxhe si në rajon, por të ketë mjete të mjaftueshme për qytetarët.

“Gjendja e shëndetësisë ka qenë barrë e rëndë për qytetarët tanë dhe mungesa e shërbimeve kanë shtuar barrën që qytetarët kanë pasur duke ju krijuar atyre shpenzime të mëdha. Bashkëpunimi në mes të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës dhe Fondit të Sigurimit Gjerman, AOK, i cili do të nisë menjëherë në janar të vitit 2020, është një rezultat konkret i një memorandumi të përbashkët të mirëkuptimit që u nënshkrua në korrik të këtij viti”, tha Ismaili.

Po ashtu, Ismaili tha se kjo ekspertizë do të jetë hapi i fundit dhe shumë i rëndësishëm para fillimit të jetësimit të sigurimeve shëndetësore.

“Tani po nisim bashkëpunimin konkret me Gjermaninë për të funksionalizuar Fondin e Sigurimit Shëndetësor, projekt ky që buron nga marrëveshja e nënshkruar në korrik të këtij viti me ministrin gjerman Spahn.  Ne e dimë sa të rëndësishme janë sigurimet shëndetësore dhe këtë po e bëjmë përmes ekspertizave  gjermane e cila do të fillojë nga janari i vitit të ardhshëm dhe do të jetë hapi i fundit para fillimit të sigurimeve shëndetësore… Viti i ardhshëm është viti kur do të fillojnë edhe sigurimet shëndetësore”, u shpreh ai.

Uran Ismajli kishte qenë protagonist i KRYPOMETRI-it për shkak të mospërmbushjes së premtimit të tij për sigurimet shëndetësore.

Ai kishte bërë premtime për nisjen e një faze pilotuese në vitin 2018 që nuk ndodhi siç ishte premtuar.

Rrenat për Sigurimet Shëndetësore