Kosova Ende Pa Fond të Sigurimeve Shëndetësore

Në ditën evropiane të të drejtave të pacientëve, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK organizoi tryezën për diskutim me temën “Sigurimet shëndetësore – një reformë që po zgjat”.

Kryetari i kësaj shoqate, Muhamedali Kodra tha se ndarja në mes të blerësit dhe ofruesit, futja e sistemit të sigurimeve shëndetësore, mundësohet përmes një fondi të qëndrueshëm shëndetësor/

“Të gjithë pajtohemi se në sistemin shëndetësor duhet të ndodhë një reformë, që në vete përmban edhe ndarjen e blerësit prej ofruesit, futjen e sistemit të sigurimeve shëndetësore përmes kontributeve dhe pagesës sipas performancës. Të gjitha këto janë të mundura të realizohen nëse arrijmë të formojmë një fond të qëndrueshëm të sigurimeve shëndetësore”, tha Kodra.

Kodra më tej tha se fondi ka nevojë të ketë një menaxhim të brendshëm të fuqishëm dhe profesional. Gjithashtu një staf kompetent i motivuar, por edhe i disiplinuar luan një rol kyç në sigurimin e një menaxhimi të brendshëm efikas dhe të përgjegjshëm.

Përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë Ramadan Halimi tha se në vitet e fundit është filluar një reformë në sektorin shëndetësor, duke filluar me ndryshimin e Ligjit për Shëndetësi, i cili ka nxjerrë disa komponentë të cilat e ndryshojnë në tërësi sistemin shëndetësorë dhe Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.

Halimi njoftoi se mesi i këtij viti do ta gjejë Ministrinë e Shëndetësisë të përgatitur për mbledhjen e premiumeve.

“Sigurisht i gjithë fondi i sigurimit shëndetësor nënkupton një proces të tërë. Është një proces shumë kompleks, interferon në vete shumë mekanizma, shumë ministri, shumë agjencione të cilat po arrijmë me i integru. Po besoj që lajme të mira për këtë fushë do të kemi këtë vit. Jam shumë i sigurt se mesi i vitit neve Ministrinë e Shëndetësisë do të na gjejë të përgatitun teknikisht për fillimin e mbledhjes së premiumeve”, njoftoi ai.

Arsim Qavderbasha, drejtor i Agjencionit të Financimit Shëndetësor, tha se vendi e ka marrë seriozisht themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

“Është bërë një punë e konsiderueshme në këtë drejtim dhe unë dua ta theksoj vendimin e Qeverisë për aprovimin e Rregullores së Agjencionit të Financimit Shëndetësor si paraardhës i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, si dhe në veçanti vendimin e Qeverisë për themelimin dhe rregulloren e punës së bordit, përkatësisht të këshillit përgatitor për themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore që e luan rolin aktual të bordit të sigurimeve shëndetësor. Kjo është një dëshmi se ky vend e ka marrë jashtëzakonisht seriozisht themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, përkatësisht fazën e parë të punës mbledhjen e premiumeve”, vlerësoi ai.

Në këtë tryezë si shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë në ndihmë pacientëve, fondacionit Golden Eagle iu nda çmimi i pacientit “Dora e Ngrohtë”, për investimet që është duke bërë në shërbimet pedriatike në Prishtinë, Gjilan, dhe Prizren.