Mustafa: Më 1 Korrik Aktivizohet Fondi

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se i vlerëson diskutimet dhe shqetësimet lidhur me gjendjen në shëndetësi.

“Vlerësoj që shëndetësia nuk është çështje e ni grupi parlamentar a një individi, por është çëahtje e jona. Ne duhet bashkërisht t’i harmonizojmë politikat tona”, tha shefi i Qeverisë në interpelancën në lidhje me përgjegjësinë mbi Ligjin për Sigurimet Shëndetësore.

Mustafa theksoi se shëndetësia është caktuar si prioritet i Qeverisë së koalicionit, por tha se ka ende shumë punë për t’u bërë.

Ai e ka vlerësuar formën e diskutimit në Parlament.

“Duhet ta ndryshojmë sjelljen tonë ndaj pacientëve, fondeve e politikave në shëndetësi”, theksoi ai.

Kryeministri siguroi se deri në datën e paraparë, 1 korrik, do të aktivizohet Fondi.

“Por, mos të presim qe veç me këtë Fond do të zgjidhet problemi i shëndetësisë. Nuk kemi asnjë arsye që ne t’i dërgojmë jashtë për shërim qytetarët tanë. Ne duhet t’u sigurojmë atyre shërim në vendin e tyre”, tha kryeministri, duke bërë thirrje që të lihen anash ngjyrimet politike, sepse kjo është fushë që kërkon etikë e përkushtim të sinqertë të të gjithëve.

Në fund të debatit, deputetit Visar Ymeri, si parashtrues i kërkesës, propozoi rezolutën që parasheh që mbledhja e premiumeve mund të bëhet vetëm atëherë kur të kemi integruar sistemin e informimit shëndetësor (SISH) dhe nuk mund të fillohet mbledhja pa u plotësuar kriteret e përcaktuara në Ligj neni 38, si dhe nuk mund të ketë mbledhje të premiumeve pa e ditur qytetarët se çka do të ofrohet dhe pa e pasë çmimoren.

Interpelanca ka përfunduar. Tash pritet harmonizimi i deputetëve për këtë rezolutë.

http://kallxo.com/rrahmani-kemi-deklaruar-se-nuk-jemi-afer-per-implementimin-e-ligjit/