Rektorati i Universitetit të Prishtinës | Foto KALLXO.com

UP zhvilloi mbi 1500 ligjërata online

Në pamundësi të zhvillimit të mësimit në objektet e fakultetit për shkak të coronavirusit, Universiteti i Prishtinës nga data 16 mars ka filluar të zhvillojë mësimin përmes platformave online.

Kjo formë e mësimit është duke u aplikuar për herë të parë në UP dhe për katër ditë janë zhvilluar 1529 ligjërata me rreth 25 mijë përdorues.

Sipas Elsa Ademi, studente në Departamentin e Gjuhës Angleze në UP, ligjëratat online nuk i lënë të humbin mësimet dhe u mundësojnë të vazhdojnë jetën normale.

“Në këtë kohë pandemie, duke marrë parasysh se kontakti fizik nuk është në favorin tonë, mësimi virtual është zgjidhja më e mirë e mundshme për të kontribuar në vazhdimin normal të jetës dhe për të evituar humbjen që do të përjetonte secili nga ne duke qëndruar në shtëpi,”, ka shtuar Elsa.

Ndërsa Lirik Veselaj, student i Fakultetit Juridik në UP ka thënë se kjo metodë i ka ndihmuar të zhvillojnë më shumë punën në grup.

“Mendoj se kjo formë e pazakontë e studimeve neve studentëve na ka sensibilizuar për rëndësinë që ka puna në ekip dhe angazhimi i përbashkët social,” theksoi mes tjerash Liriku.

Rektori i UP-së Marjan Demaj thuhet të ketë falenderuar studentët dhe profesorët për vullnetin e treguar në tejkalimin e situatës aktuale.

“Mësimi virtual është mënyra e duhur për të mos u distancuar nga mësimdhënia dhe mësimnxënia për stafin dhe studentët e UP-së, ndërkaq, i falënderon prorektorët përgjegjës, dekanët, stafin nga Zyra për Teknologji të Informacionit të UP-së për punën e bërë që mësimi të zhvillohet duke shfrytëzuar maksimalisht të gjitha potencialet e UP-së.”, ka shtuar Demaj.

Tutje në njoftim thuhet së nga mësimi virtual është i liruar Fakulteti i Mjekësisë.

“Mësimi virtual është lansuar nga e hëna për të gjithë stafin dhe studentët e UP-së. Përjashtim nga mësimi i obligueshëm bën stafi akademik i Fakultetit të Mjekësisë, i angazhuar me punë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Institutin e Shërbimit Publik të Kosovës apo në qendrat tjera spitalore..”, thuhet në njoftim.

Ndërsa Universiteti i Prishtinës bënë thirrje që të respektohen me përpikëri vendimet mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19, të marra nga Qeveria e Kosovës, duke pasur kujdes të shtuar drejt mbrojtjes së shëndetit të vetvetes, familjes dhe shoqërisë.

Në Kosovë deri më tani janë shënuar 21 raste të prekura me coronavirus.