UP angazhon mbi 300 vullnetarë në parandalimin e përhapjes së COVID-19

Universiteti i Prishtinës ka angazhuar mbi 300 vullnetarë të cilët janë duke dhënë kontributin në parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

Këta vullnetarë janë angazhuar në qendra të ndryshme shëndetësore, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Klinikën Infektive, në Ministrinë e Shëndetësisë dhe nëpër qendra të mjekësisë familjare.

Thirrjes së Fakultetit të Mjekësisë për vullnetarizëm i janë përgjigjur 280 vullnetarë – mjekë të rinj, mjekë specialistë, mbi 55 studentë vullnetarë të Fakultetit të Mjekësisë, infermierë, psikologë, punëtorë socialë; 41 vullnetarë në qendrat e mjekësisë familjare; 14 vullnetarë po ndihmojnë në Qendrën e Thirrjeve në Fakultetin e Mjekësisë dhe 4 vullnetarë në Qendrën e Studentëve;

“Shumë vullnetarë të tjerë, studentë të Fakultetit të Mjekësisë, me vendbanim nëpër komuna të Kosovës, janë në vazhdimësi duke shprehur dëshirë të ndihmojnë, e që janë duke u evidentuar të angazhohen sipas nevojës”, thuhet në njoftimin e UP-së.

UP-ja ka njoftuar që Qendra e Thirrjeve aktualisht gjendet e pozicionuar në dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë dhe është në shërbim të qytetarëve, duke ofruar informacionet e duhura përmes telefonit.

Në këtë qendër, e cila qëndron e hapur 24 orë në ditë, raportohet të pranohen 200 deri në 300 thirrje brenda ditës, të cilat pranohen nga personeli i IKSHPK-së apo ndonjë nga vullnetarët (mjekë apo studentë) e Fakultetit të Mjekësisë.

Numri kontaktues i qendrës është:  038 200 80 800

“Universiteti i Prishtinës vazhdon t’u përgjigjet me profesionalizëm të gjitha kërkesave të institucioneve shëndetësore për ta ndihmuar vendin në situatën e krijuar nga pandemia COVID-19”, përfundon njoftimi i UP-së.