Universitetet publike që shpenzuan më pak se 5 mijë euro për materiale mbrojtëse ndaj COVID-19

Katër universitete publike në Kosovë kanë shpenzuar më pak se 5 mijë euro për blerjen e materialeve mbrojtëse kundër COVID-19.

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë ka thënë për KALLXO.com, se kanë rezerva të mjaftueshme të materialeve mbrojtëse.

Shuma totale që ky Universitet ka shpenzuar për blerjen e këtyre materialeve është afër 3 mijë euro.

Në korrik të vitit 2020, Universiteti i Mitrovicës është furnizuar me 800 maska dy-shtresore nga pambuku, 4 mijë dorëza për një përdorim, 335 dezinfektues për duar të sasisë 1 litër, 100 litra dezinfektues për hapësira (1 litër me 20 litra ujë), 20 komplete të uniformave për punëtorë gjatë dezinfektimit dhe 2 pompa për dezinfektim të hapësirave.

Në përgjigjen e Universitetit të Mitrovicës për KALLXO.com, thuhet se varësisht prej situatës do të reagohet për blerjen e mjeteve shtesë.

Universiteti ”Ukshin Hoti” në Prizren ka shpenzuar vetëm 2 mijë euro për blerjen e materialeve për mbrojtje nga COVID-19.

“Nga muaji shtator deri më tani kemi bërë dy herë dezinfektimin e hapësirave mësimore në Universitet dhe jemi pajisur me të gjitha mjetet për mbrojtje nga COVID-19. Për dezinfektim shuma është 2 mijë euro”, thuhet në përgjigjen e UPZ-së.

Ndërsa Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” në një përgjigje për KALLXO.com, ka bërë të ditur se kanë shpenzuar 3 mijë euro për furnizim me preparate kimike, nga muaji shtator e deri në muajin dhjetor të vitit 2020.

Universiteti i Gjilanit nuk ka ofruar të dhëna për shpenzimet apo përgatitjet për muajt janar, shkurt dhe mars të vitit 2021.

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka shpenzuar mesatarisht 60 euro në muaj për blerjen e materialeve mbrojtëse për COVID-19.

Universiteti i Ferizajt ka blerë 400 maska kirurgjikale për studentë, 60 maska shumëpërdorimshe për staf dhe 50 dezinfektues.

Po ashtu Universiteti i Ferizajt ka njoftuar se pas vendimit të Qeverisë për mundësinë e mbajtjes së mësimit me prani fizike, kanë planifikuar një shumë mesatare mujore prej 100 eurove për mjete mbrojtëse për muajin mars 2021 e gjithashtu edhe janë blerë 280 maska për studentët dhe stafin.

“Duke pasur parasysh se mësimi është zhvilluar online, prezenca e studentëve dhe stafit akademik në UShAF ka qenë e vogël pasi në UShAF në këtë periudhë kanë punuar vetëm menaxhmenti, stafi esencial si dhe stafi administrativ me orar të reduktuar”, thuhet në përgjigjen e UShAF.

Shpenzimet që ky Universitet ka bërë për materiale mbrojtëse në shumë të përgjithshme i bie rreth 4 mijë euro.

Që nga muaji nëntor i vitit 2020, KALLXO.com është duke monitoruar respektimin e masave anti-COVID nëpër 7 universitetet publike të Kosovës. Gjatë kësaj kohe, monitoruesit e KALLXO.com kanë vërejtur se disa nga masat e përcaktuara me vendimet e Qeverisë dhe “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19” nuk janë respektuar nëpër fakultetet e universiteteve publike në Kosovë.

Më 11 shkurt, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që studentët të mos e mbajnë më mësimin online por të vazhdojnë mësimin fizikisht nëpër objektet e fakulteteve.

Gjatë monitorimeve është vërejtur që nëpër klasat e fakulteteve ka pasur probleme me shënjimin e distancës së uljes së studentëve nëpër klasa. Po ashtu, ka pasur shkelje edhe në pajisjet me dezinfektues në hyrje të fakulteteve e me material higjienik nëpër banjo.

Në disa fakultete po ashtu është vërejtur edhe mungesë e termometrit në hyrje të fakulteteve.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që mësimi në institucionet e arsimit të lartë të zhvillohet me prani fizike.

“Studentët do të vazhdojnë ligjëratat në objektet e fakulteteve, me prani fizike dhe jo online”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Është bërë e ditur se procesi arsimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, si dhe provimet, punët praktike dhe laboratorike të organizohen sipas plan-programit të institucioneve përkatëse në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19″.

Sipas institucioneve shëndetësore, COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar. Po ashtu sipas institucioneve bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.