Ilustrim

Ujësjellësi në Gjakovë kërkon pagesat nga konsumatorët

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” po i fton konsumatorët që t’i kryejnë pagesat obligative për ujin që e kanë shpenzuar.

Sipas tyre, këtë gjë ata e kërkojnë për shkak të stabilitetit financiar të kompanisë.

Kjo kompani është vetëfinancuese dhe të gjitha të hyrat shpenzohen për nevoja të kompanisë.

Këto nevoja të kompanisë, ndërlidhen me shërbime ndaj konsumatorëve dhe efikasitetin e prodhimit.

Përmes një postimi në Facebook, kompania ka bërë apel për pagesat ndaj tyre, pasi që edhe ata si institucion janë dëmtuar për shkak të pandemisë.

“KRU “Gjakova” u bën thirrje publike të gjithë konsumatorëve që sipas mundësive që kanë aktualisht, të bëjnë pagesat kundrejt ujit të shpenzuar duke na mundësuar një funksionim sa më normal të veprimtarisë tonë punuese”, thuhet në njoftimin e kompanisë së ujësjellësit.

Poashtu, KRU “Gjakova” ka njoftuar se të gjitha pikat e shitjes së KRU Gjakova janë duke punuar me orar të rregullt nga ora 08:00 deri 16:00, në të gjithë zonën tonë operative si Gjakovë, Rahovec dhe Prizren.

Përveç pikave të shitje, kjo kompani njofton se pagesat mund të bëhen edhe nëpërmjet bankave komerciale si Western Union dhe MoneyGram.

Njoftimi i kësaj kompanie përmbyllet me kërkesën ndaj konsumatorëve që t’i respektojnë masat e Ministrisë së Shëndetësisë me fokus në kujdesin e shtuar social dhe pajisjen me masa mbrojtëse.