U përgatitë dy ditë para zgjedhjeve, ministri Aliu anulon tenderin mbi 44.4 milionë euro
Tenderi mbi 44.4 milionësh i cili u përgatitë në kohë zgjedhjesh nga Ministri i Infrastrukturës e cila udhëhiqej nga tashmë ish ministri Arban Abrashi i LDK-së, u anulua.
Ditën e premte të datës 12 shkurt 2021, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përgatiti njoftimin për kontratë për publikim në platformën elektronike “e-prokurim“, tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021/22, 2022/23 dhe 2023/24, njoftim ky që u publikua ditën e hënë me 15 shkurt 2021.
Tenderi përbëhej prej 14 pjesëve, ku mirëmbajtja kishte të bënte për qytetet Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Prizren, Mitrovicë e Ferizaj.
Për realizimin e këtij tenderi, Ministria kishte parashikuar të nënshkruaj kontratë deri 44,448,000 euro.
Për këtë aktivitet të prokurimit, ishte përdorur procedurë e hapur e prokurimit me kriter të dhënies së kontratës, çmimi më i ulët.
Dy muaj më vonë, saktësisht me datën 15 prill 2021, u publikua njoftimi për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit.
Në konferencën e organizuar për media, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, përmendi dy arsyet të cilat ndikuan në marrjen e këtij vendimi nga ministria.
Arsyeja e parë, sipas Durmishit, ka të bëjë me atë se është kontratë trevjeçare dhe nuk mund të ndryshohet më pasi të lidhet kontrata dhe arsyeja e dytë, ka të bëjë me ndryshimin e kritereve teknike për mënyrën që të ketë gjithëpërfshirje dhe konkurrencë më të madhe.
Ministria e Infrastrukturës, në atë periudhë kur ishte hapur tenderi po udhëhiqej nga tashmë ish ministri Arban Abrashi nga radhët e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës.