Incidenti në Detin e Zi

Turqia paralajmëron Rusinë pas sulmit ndaj anijes në Detin e Zi

Turqia ka paralajmëruar Moskën që të shmangë përshkallëzimin e mëtejmë, pasi një anije furnizimesh, në pronësi turke, u sulmua fundjavën e kaluar nga marina ruse, tha zyra e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

“Pas ndërhyrjes [ruse], bashkëbiseduesit tanë në Federatën Ruse u paralajmëruan në mënyrë që të shmangen përpjekje të tilla, të cilat përshkallëzojnë tensionet në Detin e Zi”, tha Presidenca turke, duke thyer heshtjen disaditore për këtë incident.

Anija Sukru Okan po lundronte nën flamurin e Palauit dhe të dielën e kaluar një luftanije ruse shtiu drejt saj.

Më pas personeli ushtarak rus kreu inspektime brenda anijes dhe më pas e la që të lundronte drejt portit ukrainas të Izmailit. Ky port është shndërruar në portin kryesor për eksportimin e produkteve bujqësore të Ukrainës.

Incidenti erdhi pas rritjes së sulmeve në rajonin Detit të Zi. Sulmet u intensifikuan pas vendimit të Rusisë për t’u tërhequr muajin e kaluar nga marrëveshja që mundësonte eksportimin e sigurt të prodhimeve ukrainase.

Turqia së bashku me Kombet e Bashkuara kishin ndërmjetësuar arritjen e marrëveshjes vitin e kaluar. Kjo ishte marrëveshja e vetme e rëndësishme që Rusia dhe Ukraina arritën në kohën kur po zhvillohet lufta.

Por, zyra e Erdoganit u kritikua për shkak se nuk komentoi sulmin e Rusisë ndaj anijes në Detin e Zi.

Presidenca turke, në reagimin e së enjtes, tha se teknikisht i takonte Palauit që të përgjigjej për incidentin.

“Edhe nëse pronari i anijes Sukru Okan është turk, anija nuk është nën flamurin e Turqisë”, tha Presidenca turke.

“Sipas ligjit ndërkombëtar, shteti ku është regjistruar anija është më i rëndësishëm sesa emri i anijes apo pronari i saj”.

Palau është një arkipelag në Paqësor dhe flamuri i këtij shteti shpesh përdoret nga kompanitë që bartin dërgesa, pasi atyre u mundësohet qasje më e lirë në portet ndërkombëtare./REL