Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Trump poston në Facebook për herë të parë që nga janari i vitit 2021

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka postuar në rrjetin social Facebook për herë të parë që nga 6 janari 2021, dita kur disa persona sulmuan Kapitolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“U KTHEVA!” ka shkruar Trump në postim, i cili përfshin një video të shkurtër të tij nga CNN, nga nata kur u zgjodh president gjatë së cilës ai tha: “Më falni që ju mbaj në pritje. Biznes i komplikuar. E komplikuar.”

Llogaritë e ish-presidentit në Facebook dhe Instagram ishin ndaluar për dy vjet pas trazirave të Kapitolit. Ato u rikthyen në fillim të muajit të kaluar pasi fushata e Trump në 2024 i kërkoi kompanisë kryesore të platformave, (Meta), të zhbllokonte llogarinë e tij në Facebook, raporton CNN.

Postimet e Trump më 6 janar 2021 përfshinin gënjeshtra zgjedhore dhe një sulm ndaj zv.presidentit të atëhershëm Mike Pence, përpara se t’u bënte thirrje protestuesve të ishin paqësorë.

Megjithëse Twitter ishte platforma e preferuar e mesazheve të Trump në zgjedhjet e mëparshme, ai ka një shtrirje masive në Facebook dhe Instagram – respektivisht 34 milionë ndjekës dhe 23 milionë ndjekës. Fushatat e tij kanë shpenzuar miliona për të drejtuar reklama duke përdorur mjetet e reklamimit të synuar të Facebook.

YouTube të premten tha se po rivendoste llogarinë e Trump, duke e lejuar atë të publikonte video të reja.

Demokratët e kishin paralajmëruar kompaninë Meta për pasojat e kthimit të Trump në platformë, me disa ligjvënës që shkruan në një letër drejtuar kompanisë në fund të vitit të kaluar se Trump duhet të mbahet jashtë faqes pasi ai vazhdon të sulmojë demokracinë amerikane duke përsëritur gënjeshtra për zgjedhjet e 2020.

Republikanët, mbrojtësit e fjalës së lirë dhe të tjerë, megjithatë, argumentuan se mbajtja e ndalimit ishte një akt i panevojshëm censurimi dhe mund ta vendoste Trumpin në disavantazh si kandidat i vitit 2024.