Ilustrim

Tridhjetë ditë paraburgim të dyshuarit për sulm ndaj gruas së tij

Gjykata Themelore e Ferizajt – Dega në Kaçanik, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.Gj.

Ai po dyshohet se ka kryer veprën penale sulm ndaj bashkëshortes së tij.

Gjykata ka njoftuar se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake ka vërtetuar faktin se i pandehuri më 10.06.2021 në shtëpinë e tyre në një fshat në Kaçanik, me dashje ka përdorur forcën fizike ndaj të dëmtuarës-bashkëshortes së tij M.Xh.

Tutje Gjykata ka bërë të ditur se i dyshuari, të dëmtuarën fillimisht kishte filluar ta ofendoj me fjalë të ndryshme banale, pastaj e ka kapur për flokë duke i thënë se ‘nuk ke vend këtu’ duke aluduar në shtëpinë e tyre.

Tutje thuhet se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë ditëve. Gjykata po ashtu me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ka vlerësuar se për këtë vepër penale hetimet nuk kanë përfunduar, andaj mbi këto arsye vlerëson se po të gjendej në liri i akuzuari, mund të pengohet zbatimi i suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në fund të njoftimit të Gjykatës së Ferizajt.