Tri raste të dhunës në familje, dy viktima në tretman mjekësor

Policia e Kosovës ka njoftuar për tri raste të dhunës gjatë 24 orëve të fundit që kanë ndodhur në familje në Gjilan, Prizren dhe Mitrovicë, kurse në dy raste viktimat kanë pranuar edhe tretman mjekësor.

Në Gjilan është arrestuar një i dyshuar pasi që i njëjti për shkak të një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht gjyshin e tij, duke u goditur me kokë në fytyrë.

“Viktima është dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal në Gjilan, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim të policisë.

Edhe në Prizren, është arrestuar një person i cili pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

“Viktimës iu është ofruar trajtim mjekësor. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të të cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet tutje.

Edhe në Mitrovicë, është arrestuar një person i cili në gjendje të dehur, e ka sulmuar fizikisht dhe psiqikisht bashkëshorten e tij.

Sipas policisë, viktima nuk ka pasur nevojë për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.