Time Kadrijaj lëshon komisionin parlamentar, s'i pëlqen udhëheqja e mbledhjes nga nënkryetarja

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka lëshuar mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, në shenjë pakënaqësie me mënyrën sesi nënkryetarja Arbresha Kryeziu-Hyseni ka udhëhequr mbledhjen.

Deputetja Kryeziu-Hyseni kritikoi qasjen e deputetëve të opozitës, pasi sipas saj ata fajësuan ministren Arbërie Nagavci, ani pse disa nga problemet kanë qenë nga qeveritë paraprake.

Deputetja Kryeziu-Hyseni, ia përmendi deputetes Kadrijaj përjashtimin e Kosovës nga ENCA dhe EQAR, i cili ka ndodhur në Qeverinë Haradinaj.

Ndërsa deputetja Time Kadrijaj tha që kryesuesja e mbledhjes së komisionit, është bërë “sikur zëdhënëse e Qeverisë”.

Raportimi i ministres po bëhet vetëm në praninë e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe deputetit Fridon Lala nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës. Kryetarja e këtij komisioni, është larguar më herët nën arsyetimin se ka një takim, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, fillimisht ishin prezent e më pas janë larguar.