Tala së bashku me vëllain e saj, Yazid, Foto: BBC

“Thjeshtë nuk dua të vdes në moshën 24-vjeçare”- e reja nga Gaza e bllokuar në vendkalimin me Egjiptin

Ishte hera e tretë që përpiqet të kalojë. Kishte ende shpresë. Të gjithë gazetarët thanë se kufiri do të hapet.

Ambasada e Jordanisë i bëri thirrje familjes dhe i tha që të shkojnë tek vendkalimi i Rafasë, i cili të dërgon në Egjipt.

Nëna e Tala Abu Nahleh është shtetase e Jordanisë. Kush kishte pasaporta të huaja do të mund të kalojnë. Po ashtu edhe të sëmurit dhe të plagosurit rëndë.

Yazid, 15 vjeçar, është vëllai i Tala-së, i cili është me aftësi të kufizuara dhe vuan shumë nga krizat nervore. Ai mund të lëvizë nga një vend në tjetrin vetëm me ndihmë të karrocës. Spitalet në Gaza nuk kanë më medikamente të cilat i nevojitën atij, dhe po ashtu bombardimet i’a kanë përkeqësuar gjendjen.

“Që kur ka filluar eskalimi i situatës” tregon Tala, “ai kishte shumë frikë, dhe krizat e tij u bënë edhe më keq. Çdo herë që thoja u bë më keq, ai vetëm vazhdonte të përkeqësohej”.

Ata janë gjashtë anëtarë në familje dhe Tala ishte e vetmja me të ardhura financiare. Ajo fitoi bursa dhe kishte studiuar në SHBA, Bejrut dhe Liban. Vetëbesimin dhe e qartësinë që e ka, është e lehtë të kuptohet që ajo udhëheqë familjen e saj nëpër sfidat të cilat po përjetojnë gjatë kalimit të kufijve të Gazës.

“Ne po përpiqemi të mbijetojmë. Nuk jemi të sigurt se a do t’ia dalim mbanë, por po bëjmë gjithçka të mundur që të mbijetojmë, sepse nuk dua të vdes në moshën 24-vjeçare.”

Kufiri është vendi ku fjala “fat” ka shumë kuptime. Nënkupton shpëtimin nga bombardimet, nga uria dhe mungesa e ujit.

Po ashtu nënkupton edhe t’i lësh mbrapa të dashurit e tu të cilët nuk kanë pasaporta të huaja, ose kush nuk është lënduar shumë nuk e meriton evakuimin, ose ata të cilët kanë mbetuar nën rrënoja dhe nuk mund të arrijnë kufirin.

Numri i të larguarve ose i atyre që do të mund të largohen, është vetëm një përqindje e vogël e popullsisë prej 2.2 milionë të Gazës.

Mona, e cila nuk e tregoi mbiemrin e saj, përmes martesës është shtetase e Australisë. Ajo erdhi e vetme në kufirin e Gazës, e kapluar nga mendimet se mos familja e saj kishte mbetur në Gazë.

“Nuk jam aspak e lumtur, sepse po e braktisë një pjesë timen, motrat dhe vëllezërit e mi, e gjithë familja ime gjendet ende atje. Shpresoj që me ndihmën e Zotit që ata të jenë në një vend të sigurt. Situata është e tmerrshme atje, është shumë keq” – ajo thotë.

Disa grupe burrash u mblodhën përpara listave të ngjitura në dritare në anën e vendkalimit në Gaza. Gishtat e tyre po kërkonin nëpër rreshta emrat e atyre që ishin miratuar për tu nisur.

Familjet ishin të ulura nëpër karriget e korridorit, një vend i vogël i cili ishte i mbushur me shpresë.

Gjithsej, 400 shtetas të huaj dhe të plagosur, kishin mundur të largoheshin nga Gaza të mërkurën, dita e parë e evakuimit.

Në fund të ditës, Tala Ebu Nahleh e dinte se familja e saj nuk do të ishte aq me fat. Ata u kthyen në banesën e tyre, e errët sikur e fqinjëve, sepse nuk kishte energji elektrike.

Tala na dërgoi një video-mesazh duke thënë se nuk e dinte se çfarë të ndjente më. Ajo tingëllonte dhe dukej e lodhur.

“Ne kur u kthyem nuk kishte energji elektrike, s’kishte ushqim për sot, s’kishte ujë të pastër për të pirë apo për larje. Dhe çdo ditë e më shumë vëllait tim që po i mbaronin ilaçet, dhe ne jemi ende këtu, dhe është natë. Nuk e di nëse do t’ia dalim nesër, por shpresoj që po”./BBC