"The New York Times" i tërheq korrespondentët nga Rusia

Gazeta amerikane, “New York Times” (NYT) i ka tërhequr të gjithë korrespondentët e saj nga Rusia. Ky vendim e shënon herën e parë në më shumë se një shekull që gazeta në fjalë nuk do ta ketë asnjë gazetar në terren atje.

“Ditë shumë e trishtuar për historinë e New York Times në Moskë. Po tërhiqen të gjithë korrespondentët jashtë Rusisë. Kemi pasur gazetarë atje vazhdimisht që nga viti 1921, me një ose dy ndërprerje të shkurtra për shkak të problemeve me vizat. As Stalini, as Lufta e Ftohtë, asgjë nuk na dëboi”, shkroi Neil MacFarquhar, një ish-shef i zyrës së NYT në Moskë.

Gazeta njoftoi tërheqjen e saj zyrtare nga Rusia në një deklaratë të martën, duke e cituar legjislacionin e ri që synon t’i kriminalizojë gazetarët që raportojnë për pushtimin e Moskës në Ukrainë, duke nxjerrë jashtë ligjit çdo referencë për “luftë”.

“Legjislacioni i ri i Rusisë synon ta kriminalizojë raportimin e pavarur dhe të saktë të lajmeve në lidhje me luftën kundër Ukrainës. Për sigurinë dhe mbrojtjenn e stafit tonë redaktues që punon në rajon, ne po i zhvendosim ata jashtë vendit për momentin,” tha zëdhënësja e “The New York Times”, Danielle Rhoades Ha./CNN