Presidenti Hashim Thaçi në samitin e Zagrebit Foto: ZPRK-së

Thaçi për Samitin e Zagrebit: Kërkova liberalizim të vizave dhe statusin e kandidatit për Kosovën

Presidenti Hashim Thaçi, i cili ftoi konferencë për media dhe pas pak minutash e anuloi atë, ka dërguar një komunikatë në lidhje me pjesëmarrjen e tij përmes video-lidhjes në Samitin e Zagrebit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Thaçi thotë se në këtë Samit ka kërkuar vendim për liberalizimin e vizave dhe statusin e kandidatit për Kosovën.

“Presidenti Thaçi në adresimin e tij online në këtë samit ka përsëritur nevojën urgjente që BE-ja të marrë vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën. I pari i vendit ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentit.

Kreu i shtetit u ka bërë thirrje BE-së dhe shteteve anëtare që të tregojnë lidership dhe vullnet për ta afruar Kosovën me BE-në.

“BE-ja dhe shtetet e saj anëtare kanë fuqi që ta ndryshojnë këtë trend negativ. I bëjmë thirrje BE-së dhe shteteve anëtare të tregojnë lidership dhe vullnet për ta afruar Kosovën me BE-në”, ka thënë presidenti Thaçi, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentit.