Tetë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit.

Rastet raportohet të kenë ndodhur në Prishtinë, Obiliq, Podujevë, Gjilan, Ferizaj, Malishevë, Mitrovicë Jug dhe Skenderaj. Nga këto raste, Policia ka arrestuar tetë persona të dyshuar.

Në Prishtinë, Policia ka arrestuar një person nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht nënën e tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Në Obiliq, Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili po dyshohet se ka kanosur bashkëshorten e djalit të tij, shtetase e Serbisë.

Sipas raportit policor, deri te kanosja dyshohet se ka ardhur pasi i dyshuari pa pëlqimin e prindërve, e ka marrë vajzën e viktimës për të kërkuar lëmoshë.

Policia thotë se në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Në Podujevë, Policia ka arrestuar një person që po dyshohet për dhunë në familje. Me rekomandim të prokurorit, pas intervistimit është liruar.

Në Gjilan, forcat e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij. Sipas Policisë, i dyshuari ka kërkuar që viktima të shkojë tek familja e saj.

Viktimës iu është ofruar tretman mjekësor pasi siç thuhet në raport policor, e njëjta është shtatzënë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe rasti vazhdon të hetohet.

Në Ferizaj, Policia ka arrestuar dy gra të cilat dyshohen se janë përfshirë në dhunë në familje.

Dy të dyshuarat dhe viktima kanë pranuar tretman mjekësor.

Policia thotë se në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit dy të dyshuarat janë dërguar në mbajtje.

Në Malishevë, forcat e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht nënën dhe gjyshen e tij, pasi ato nuk i kanë dhënë para.

Viktimave u është ofruar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Mitrovicë Jug, një grua, shtetase e Shqipërisë, ka raportuar në Policinë e Kosovës se pas një mosmarrëveshje me nënën e saj, janë përleshur fizikisht.

Të dy palëve iu është ofruar tretman mjekësor. Ndërkaq sipas raportit policor, në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt.

Në Skenderaj, Policia ka arrestuar një person nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor.

Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt.