Ilustrim: Një viktimë e dhunës, Foto: Pixaby

Tetë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve të fundit në Kosovë.

Prej këtyre rasteve, pesë persona janë arrestuar, ndërsa tre të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Në Lipjan një grua ka pranuar tretman mjekësor pasi që dyshohet se tashmë i arrestuari ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, – thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Rast i njëjtë është edhe në kryeqytet ku viktima që ka raportuar rastin ka pranuar tretman mjekësor, pasi që dyshohet se kishte ushtruar dhunë i dyshuari.

I njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në raportin 24 orësh është raportuar gjithashtu se një grua ka raportuar se pas një konflikti është sulmuar fizikisht nga një i dyshuar.

“Me urdhër të prokurorit është bërë bastisja e shtëpisë së të dyshuarit me ç’rast janë gjetur dhe janë sekuestruar dy armë, për të cilat i dyshuari kishte leje për armëmbajtje. Me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, – thuhet në raportin e Policisë.

Ndërkohë, edhe në Komunën e Obiliqit është arrestuar një i dyshuar për dhunë ndaj një gruaje.

“Me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt”, – thuhet në raportin 24 orësh.

Ndërsa në Pejë janë raportuar dy raste të dhunës në familje. Në të dy rastet të dyshuarit janë liruar me procedurë të rregullt.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se i njëjti ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari dhe viktima janë intervistuar, me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt’’, – thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

“Në Pejë viktima femër kosovare ka njoftuar se i dyshuari mashkull kosovar, në gjendje të dehur i ka goditur dyert e shtëpisë. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt”, – thuhet në raportin e Policisë.

Në Deçan, një qytetar ka njoftuar se një i dyshuar ka tentuar ta godasë me një mjet të mprehtë.

I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

Ndërsa në Rahovec është arrestuar një i dyshuar për ushtrim të dhunës ndaj një gruaje.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh.