
Ramush Haradinaj në Gjakovë, 07.02.2025, Foto: Ramush Haradinaj/Facebook
Tetë kandidatët më të votuar të Koalicionit AAK-Nisma
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet preliminare të kandidatëve për subjektet politike. Sipas përditësimit të fundit, që është bërë në orën 11:26, rezulton se janë numëruar 90.41% e votave.
Në listën e Koalicionit AAK-Nisma, më i votuari është Ramush Haradinaj, me 37,752 vota. I dyti i kësaj liste Fatmir Limaj është poashtu kandidati i dytë më i votuar, me 22,207 vota.
Kandidati i tretë i cili është votuar më së shumti nga Koalicioni AAK-NISMA është Daut Haradinaj, me 21,796 vota.
Ndërsa, si gruaja më e votuar e këtij Koalicioni është kandidatja Time Kadrijaj, me 12,976 vota – duke u renditur si kandidatja e katërt më e votuar.
Kandidati Bekë Berisha me vetëm katër vota më pak se kandidatja Time Kadrijaj renditet i pesti, me 12,972 vota.
Arbëreshë Krasniqi është e gjashta, me 10,824 vota. Lahi Brahimaj është i shtati, me 10,611 vota dhe Vesel Krasniqi renditet i teti, me 10,407 vota.
Në këto rezultate nuk përfshihen rezultatet e: votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës – numërimi i të cilave sipas KQZ-së do të bëhet gjatë ditëve në vazhdim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
KQZ-ja ka procesuar gjithashtu në faqen zyrtare të dhënat e rezultateve të 100% të vendvotimeve të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, apo 2,533 nga 2,533.
Në bazë të rezultateve të fundit preliminare të përditësuara në orën 09:46, më 20.02.2025, në uebfaqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është e para me 40.80%, apo 342,281 vota.
Partia e dytë me më së shumti vota është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03%, apo 184,811 vota.
E treta është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63%, apo 147,888 vota.
Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me Nismën, Demokratët, Intelektualët dhe Listën Ideal kanë marrë 7.46% të votave, apo 62,588 vota.
Lista Serbe është partia e pestë me 4.61%, apo 18,942 vota.
Këto janë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova i ka mbajtur që nga shpallja e pavarësisë, më 2008.