Tërnava takohet me Naser Ramadanin dhe Lul Rakën, diskutojnë për hapjen e xhamive

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim drejtorin e IKShPK-së, Naser Ramadanin dhe mikrobiologun, Lul Raka.

Sipas njoftimit, në këtë takim është diskutuar për mundësinë e hapjes së xhamive dhe për gjendjen aktuale në Kosovë nga pandemia COVID-19.

Tërnava ka thënë se sipas mendimeve të ekspertëve, kushtet nuk janë krijuar ende që të hapen xhamitë në vend dhe një veprim i tillë mund të jetë një kërcënim për shëndetin e besimtarëve.

“Bashkësia Islame e Kosovës, ashtu sikurse të gjithë besimtarët e saj, janë të shqetësuar për hapjen e xhamive, ku do të krijoheshin kushtet për kryerjen e ibadeteve ndaj Zotit fuqiplotë. Bashkësia Islame e Kosovës në vazhdimësi ka qenë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, por edhe me të gjithë faktorët e tjerë, që të krijohen kushtet për hapjen e xhamive”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.

Ndërsa drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani në këtë takim ka thënë se si profesionist shëndetësor ka sqaruar gjendjen epidemiologjike në të cilën gjendet vendi dhe në sfidën e madhe me të cilen po përballen profesionistët shëndetësorë.

“Duke pasur parasysh që për parandalimin e kësaj pandemie, nuk ka ende ndonjë vaksinë dhe as trajtim të duhur, rekomandimet për mosgrumbullimin e masës kanë qenë obligative në përputhje me institucionet e tjera shëndetësore botërore”, ka thënë Ramadani.