Policia e Kosovës

Tentim vrasje ndaj policëve civil në Prishtinë

Dy persona janë arrestuar në Prishtinë nën dyshimin se njëri nga ta ka shtënë me armë në drejtim të policëve të cilët ishin në rroba civile.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, edhe policët kanë gjuajtur me armë në drejtim të të dyshuarave.

Policia ka thënë se të dyshuarit para se të fillohej përleshja me armë, kanë tentuar që me veturë të godasin policët civil.

Tutje është njoftuar se ngjarja ka ndodhur më 15 mars 2022 rreth orës 21:19 dhe se policët kanë pranuar tretman mjekësor.

“Janë arrestuar dy të dyshuar, pasi që të njëjtit me veturë kanë tentuar të godasin zyrtarët policor (në rroba civile) dhe më pas njëri nga të dyshuarit me pistoletë ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policor. Zyrtarët policor i janë përgjigjur me të shtëna në drejtim të dyshuarit”, është thënë në njoftim.

Duke iu referuar raportit të Policisë, në vendin e ngjarjes është konfiskuar një pistoletë me 6 fishekë.

Ndërsa, të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.