Tentim sulmi ndaj Buzhalës: Përfundon intervistimi, Andi Pajaziti lirohet në procedurë të rregullt

I dyshuari për tentim-sulm ndaj Berat Buzhalës, Andi Pajaziti, është intervistuar sot nga forcat e rendit.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i tij, Asdren Hoxha.

Sipas Hoxhës, rasti i Pajazitit dhe Buzhalës ka qenë një keqkuptim dhe nuk ka të bëj me sulm.

“Tani kemi qenë në Polici dhe intervista përfundoi. Andi u lirua në procedurë të rregullt. Ndaj tij nuk zhvillohet procedurë penale, por vetëm për kanosje, komunikim verbal që ka ndodhë në mes tyre”, ka thënë avokati Hoxha.

“Krejt kanë qenë keqkuptime, krejt kanë qenë paragjykime sepse personi vetëm e ka hapë dritaren dhe e ka përshendetë e ai e ka marr si komeditë çka. Nuk ka veprime të kanosjes”, tha tutje avokati Asdren Hoxha.

Të shtunën mbrëma, drejtori i medias Gazeta Express dhe televizionit T7, Berat Buzhala, denoncoi publikisht një tentim sulm ndaj tij në Prishtinë.

Për këtë, Buzhala fajësoi dy njerëz, sipas tij, të Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, pretendimet e tij i ka mohuar vetë Andi Pajaziti.

“Nuk jam anëtar i asnjë partie politike aq ma pak i Vetëvendosjes me të cilën nuk me lidhë asgjë”, ka deklaruar Andi Pajaziti për KALLXO.com.

Se Pajaziti nuk është pjesë e partisë së Albin Kurit e kanë thënë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka asnjë anëtarë me këtë emër dhe nuk ka pasur ndonjëherë”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të VV-së.

Andi Pjaziti është djali i Burhan Pajaziti, njeri i afërt me Partinë Demokratike të Kosovës.

AGK reagon pas tentim- sulmit ndaj Berat Buzhalës

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).