AGK reagon pas tentim- sulmit ndaj Berat Buzhalës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas tentim- sulmit ndaj gazetarit Berat Buzhala.

Sipas komunikatës së AGK-së, njoftimin për këtë e kanë pranuar me shqetësim.

Sipas AGK-së, Buzhala përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka treguar se gjatë ditës së djeshme, në Prishtinë, dy persona kanë tentuar ta sulmonin fizikisht.

Përmes komunikatës AGK ka kërkuar nga autoritetet hetim të menjëhershëm për këtë rast.

“Duke e konsideruar këtë akt të papranueshëm, AGK kërkon nga Policia e Kosovës dhe të gjithë ata që janë të thirrur për të mbrojtur dhe ruajtur rendin e ligjin, hetim të menjëhershëm që kryerësit e kësaj vepre të dalin sa më parë para drejtësisë”, thuhet në komunikatë.

Lidhur me këtë rast sot ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Tentim sulmi ndaj një gazetari është i papranueshëm, por edhe i dënueshëm prandaj ftoj Policinë të merret me këtë sa më parë. Në anën tjetër akuzat e shpifjet dhe tendenca për të njollosur një subjekt politik po ashtu është e papranueshme dhe e dënueshme”, ka shkruar ajo në Facebook.